Qindra familje në Francë padisin TikTok-un për ndikim të dëmshëm të të miturve

12 maj 2026 | 08:28

Qindra familje në Francë kanë ngritur një padi kolektive kundër platformës sociale TikTok, duke e akuzuar atë për “abuzim me dobësinë” e të miturve dhe për ndikim të rëndë në shëndetin mendor të adoleshentëve.

Sipas raportimit të medias franceze Franceinfo, padia është depozituar në Zyrën e Prokurorit të Parisit dhe përfaqësohet nga avokatja Laure Boutron-Marmion. Familjet pretendojnë se algoritmet e platformës shfrytëzojnë cenueshmërinë psikologjike të të rinjve, duke nxitur varësi, ankth, depresion dhe në disa raste edhe vetëvrasje.

“TikTok është një makineri e ndërtuar për të shfrytëzuar dobësinë e adoleshentëve. Platforma krijon burgje mendore dhe nxit gjendje të vazhdueshme ankthi”, deklaroi Boutron-Marmion për Franceinfo.

Sipas saj, sistemi i rekomandimeve të TikTok-ut është projektuar për të mbajtur përdoruesit të lidhur për periudha të gjata, përmes përmbajtjeve të personalizuara që krijojnë varësi të fortë psikologjike.

Avokatja akuzoi drejtuesit e TikTok-ut, si në Francë ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, se janë plotësisht të vetëdijshëm për efektet që algoritmet e platformës kanë te të miturit, por nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar dëmet.

Familjet kërkojnë që çështja të trajtohet në një gjykatë penale franceze, ndërsa paralelisht vijojnë edhe procedurat civile kundër kompanisë. Sipas padisë, disa prej familjeve kanë humbur fëmijët e tyre nga vetëvrasja, ndërsa të tjera raportojnë raste të anoreksisë, depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse të lidhura me përdorimin intensiv të rrjetit social.

Çështja ka rihapur debatin në Francë për rregullimin e mediave sociale dhe mbrojtjen e të miturve në platformat dixhitale. Ndër propozimet që po diskutohen është edhe ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) ka rënë dakord për sanksione kundër disa…