
Qindra ish-zyrtarë izraelitë i bëjnë thirrje Trumpit të përfundojë luftën në Gaza
Një grup prej rreth 600 zyrtarësh të pensionuar izraelitë të sigurisë, përfshirë ish-krerë të agjencive të inteligjencës, i kanë shkruar presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ushtruar presion mbi Izraelin që të përfundojë menjëherë luftën në Gaza.
“Është gjykimi ynë profesional se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin”, thanë zyrtarët, shkruan BBC.
“Besueshmëria juaj me shumicën dërrmuese të izraelitëve rrit aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: Përfundoni luftën, ktheni pengjet, ndaloni vuajtjet”, shkruan ata.
Apeli i tyre vjen mes raportimeve se Netanyahu po shtyn përpara zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërsa bisedimet indirekte për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.
Ndryshe, Izraeli nisi një luftë shkatërruese në Gaza pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 u morën peng në Gaza.
Më shumë se 60,000 persona janë vrarë si rezultat i fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza që atëherë, thotë ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.