Prapaskenat për Groenlandën: Kush është “mbreti” i kozmetikës amerikane që këshilloi Trumpin të “blinte” ishullin

08 janar 2026 | 19:03

Ideja e blerjes së Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, e hedhur publikisht nga Donald Trump, nuk ka lindur rastësisht.

Pas saj qëndron Ronald Lauder, miliarderi amerikan i kozmetikës dhe mik i vjetër i presidentit, shkruan Corriere della Sera, duke iu referuar një investigimi të medias daneze Politiken.

Lauder, 81 vjeç, trashëgimtar i perandorisë Estée Lauder dhe dikur shok klase i Trump në Wharton School of Business, është një figurë kyçe në këtë histori që ndërthur politikën amerikane, interesat ekonomike dhe ekuilibrat gjeopolitikë në Arktik.

Një ide e mbjellë vite më parë

Sipas John Bolton, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trump, ishte pikërisht Ronald Lauder ai që për herë të parë sugjeroi idenë e Groenlandës.

Bolton e ka konfirmuar këtë për The Free Press, duke theksuar se Trump ia përmendi çështjen në vitin 2019.

I njëjti version përforcohet edhe nga libri hetimor The Divider (2021), i gazetarëve Peter Baker (New York Times) dhe Susan Glasser (New Yorker), ku Trump flet për një “mik shumë të pasur” që i kishte propozuar këtë lëvizje strategjike, një referencë e qartë për Lauderin.

Donacione politike dhe investime strategjike

Ronald Lauder është gjithashtu një financues i rëndësishëm i fushatave republikane, duke përfshirë të paktën një milion dollarë donacione në mbështetje të Trump.

Paralelisht, ai ka nisur investime konkrete në Groenlandë, përmes kompanisë Greenland Development Partners, e regjistruar në Delaware dhe aktive në sektorët e ujit dhe energjisë.

Siç cilëson Corriere della Sera, këto investime shtrojnë pikëpyetje mbi ndërthurjen mes interesave private dhe politikës së jashtme amerikane.

Dyshime për ndikim rus

Një element që ka ushqyer spekulime është fakti se Lauder, si president i Kongresit Botëror Hebraik, është takuar dy herë me Vladimir Putinin në Kremlin (2016 dhe mars 2019). Kjo ka çuar disa analistë të mendojnë se ideja e Groenlandës mund të jetë nxitur indirekt nga Moska, për të devijuar vëmendjen amerikane nga Ukraina.

Megjithatë, nuk ka prova konkrete për një ndërhyrje direkte të Kremlinit. Dyshimet u rritën pas një letre të rreme të vitit 2019, që fliste për një referendum të supozuar për pavarësinë e Groenlandës nga Danimarka, por dokumenti rezultoi i falsifikuar dhe me autorë të panjohur.

Paralelizma me Venezuelën

Artikulli vë në dukje se i njëjti model interesash shfaqet edhe në rastin e Venezuelës.

Fiona Hill, ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka deklaruar në Kongres se Rusia kishte propozuar një marrëveshje shkëmbimi, liri veprimi për SHBA-të në Venezuelë, kundrejt lirisë ruse në Ukrainë.

Edhe pse kjo ofertë u refuzua, interesat ekonomike vazhduan.

Investitori Paul Singer, donator i madh i fushatës së Trump, ka blerë rafineri amerikane të projektuara posaçërisht për përpunimin e naftës së rëndë venezueliane. Së fundmi, administrata amerikane ka njoftuar se do të importojë naftë nga Karakasi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vigan Qorrolli është konfirmuar deputet i Kuvendit të Republikës së…