QKMF-ja në Mitrovicë përfiton 5 000 euro donacion nga “Ipko”

24 janar 2019 | 17:57

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë “Ipko”, Arianit Duraku, me të cilin ka biseduar për shtrirjen e rrjetit të kësaj kompanie edhe në fshatrat  e Mitrovicës.

Pastaj kryetari Bahtiri i shoqëruar me drejtoreshën e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani dhe përfaqësuesit e kompanisë “Ipko”, kanë vazhduar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, ku kompania në fjalë ka dhuruar një donacion me vlerë 5 000 euro për repartin e Pediatrisë.

Me këtë rast kryetari Bahtiri ka falënderuar kompaninë “Ipko” për dhurimin e këtij donacioni dhe bashkëpunimin e mirëfilltë që e kanë ndër vite me ta, duke e vlerësuar donacionin si shumë të dobishëm dhe të  mirëseardhur sepse është në të mirë të fëmijëve që do të mjekohen në repart.

Po ashtu edhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, e falënderoi kompaninë “Ipko” për këtë donacion duke vlerësuar lartë rëndësinë e këtyre pajisjeve, të cilat stafit të kësaj qendre do t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore.

Ndërsa drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, ka thënë se ndihma nga kjo kompani ka qenë e mirëseardhur për pediatrinë. Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i kompanisë “Ipko”, Arianit Duraku, ka thënë se një donacion i tillë është realizuar në 20 komuna të Kosovës.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi negociator për dialogun me Serbinë, është në përfundim e…