Qorrolli thotë se nuk po rrezikohet zgjedhja e presidentit

16 janar 2026 | 13:52

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se ky subjekt politik nuk po pengon procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”, Qorrolli ka theksuar se dita e fundit për zgjedhjen e presidentit sipas Kushtetutës është 5 mars, ndërsa aktualisht është 16 janar, duke nënvizuar se kohë për këtë proces ende ka.

“Ne nuk po rrezikojmë asnjë proces, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është brenda mandatit të tij ligjor për të bërë verifikimet e nevojshme. Pasi të përfundojë rinumërimi, KQZ-ja do t’i certifikojë rezultatet përfundimtare dhe do t’i dërgojë presidentes së Republikës. Çështjet që janë ngritur janë kryesisht artificiale dhe kanë të bëjnë me shqetësime të publikut. Dita e fundit sipas afatit kushtetues, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i Republikës, është data 5 mars. Ne jemi sot, 16 janar, dhe kemi më pak se dy muaj deri në ditën D. Në rast se presidenti nuk zgjidhet, shpërbëhet Kuvendi i ri, i zgjedhur më 28 dhjetor, dhe më pas shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme. Megjithatë, unë besoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse KQZ-ja brenda 10-12 ditëve të ardhshme do t’i certifikojë rezultatet, dhe atëherë do të mund të zgjidhet presidenti”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit po tregon se nuk ka ndryshime radikale në renditjen e deputetëve tashmë të zgjedhur.

“Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit të votave, ku mund të ketë çështje margjinale për votat e kandidatëve brenda subjekteve, nuk është një betejë brenda subjekteve politike. Ky proces bëhet për shkak të dyshimeve që KQZ-ja i ka vlerësuar të arsyeshme ose të bazuara. Procesi do të përfundojë së shpejti dhe do të shohim nëse mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël. Deri tani, shihet se lëvizja e votave mbetet brenda kuadrit të gabimeve njerëzore, pra nuk ka ndryshime radikale në renditjen e deputetëve tashmë të zgjedhur”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka dhënë informata në…