Qosja i pakënaqur me veprimet e klasës politike në pushtet

07 shkurt 2018 | 22:13

Akademiku Rexhep Qosja ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.

Qosja përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shprehur pakënaqësitë e tij për mospunën e institucioneve të shtetit dhe veprimet e tyre që po ndërmarrin në dëm të qytetarëve.

Shkrimtari Qosja ka komentuar edhe propozimin për ndërtimin e objekteve të institucioneve qendrore në Hajvali.

“‘Po pajtohem’ tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendore e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!!”, ka shkruar Qosja.

Postimi i plotë i Rexhep Qosjes:

“Jam pajtuar” me vendimin e kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugovës, për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, që do të ishte e ngjashme me Shtëpinë e Bardhë të Josip Broz Titos në Dedinje të Beogradit, apo madje me Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve në Uashington!!!

Gjithashtu “jam pajtuar” me propozimin e kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, për ndërtimin e Rezidencës madhështore në Gërmi për pritjen e delegacioneve të huaja dhe pushimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës!!!

“Po pajtohem” tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendore e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!!

Mbas të gjitha këtyre pajtimeve “u pajtova” që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë të rinjtë dhe të gjithë të pjekurit që s’kanë mbërrijtur vetë ende të shkojnë, domethënë u pajtova që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë ata që në Kosovë s’kanë me çka të jetojnë dhe të gjithë ata që jetojnë me 1.70 cent në ditë!

Më në fund “u pajtova” që politikën tonë shembullore për integrime euroatlantike ta dëshmojmë konkretisht jo duke sjellë Vlera evropiane në Kosovë, po duke çuar në Evropë pamjet e sulltanateve tona arkitekturore presidenciale, qeveritare e kuvendore!!!

Dhe kështu do dëshmojmë se jemi shteti më i zhvilluar, më i përparuar, më i pasur e më i kulturuar në kontinentin europian dhe në perëndim në përgjithësi.

Dhe kështu do të dëshmojmë se kemi kastën e politikanëve më të ditur, më qartpamës, me demokratë, më europianë, më amerikanë, më perëndimorë të merituar për saraje të tilla sulltanore!!!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Martin Schulz njoftoi sot se do të largohej në ditët…