Quinti, thirrje Kosovës dhe Serbisë: Menjëherë të rifillojë dialogu

13 gusht 2019 | 12:25

Nëpërmjet një deklarate për medie qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë procesin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Quinti ka shprehur gatishmëri për të forcuar rolin në këtë proces duke kërkuar nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, është thënë në deklaratën për medie të Quintit.

Deklaratë e përbashkët e qeverive të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme.

Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë.

Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një autobus i linjës Tiranë – Prishtinë shpërtheu në flakë…