Quni: Duhet t’i thellojmë marrëdhëniet vëllazërore me Shqipërinë

25 shkurt 2020 | 11:47

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në fillim, ambasadori Minxhozi ka uruar ministrin Quni dhe ka përcjellë urimet nga ana e homologes së tij, ministres Xhaçka.

Duke vlerësuar lartë personalitetin dhe profilin ushtarak dhe politik të ministrit Quni, ai ka shprehur besimin e plotë në suksesin e ministrisë dhe forcës në proceset në të cilat po kalon.

Gjithashtu, diplomati shqiptar ka shprehur konsideratën e lartë për nivelin e deritashëm të bashkëpunimit bilateral duke shprehur gatishmërinë e plotë dhe ofruar të gjitha kapacitetet shtetërore të Shqipërisë.

Si vend anëtar i NATO-s, ai ka ofruar mbështetjen e pa rezervë në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe afirmimin e Kosovës për aderim në mekanizmat e sigurisë rajonale dhe euroatlantike.

Ndërsa i pari i Mbrojtjes në Kosovë, Anton Quni, ka falënderuar ambasadorin dhe ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të Republikës së Shqipërisë në të gjitha periudhat dhe në arritjet e përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Më tutje, ai ka folur edhe kontributin në profesionalizimin e kuadrove ushtarake të FSK-së përmes trajnimeve dhe shkollimeve si dhe kontributin e oficerëve shqiptar në kuadër të ekipit këshillëdhës të NATO-s.

Ministri Quni ka theksuar nevojën e intensifikimit të aktiviteteve dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve, ministrive dhe forcave në funksion të interesave të përbashkëta dhe në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupet palestineze dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje armëpushimi në Rripin…