Qytetari, Dardan Molliqajt: A po lufton kundër pushtetit apo opozitës?
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për medie pas aksionit simbolik të PSD-së në sheshin “Nëna Terezë”, ku ka folur për rolin e opozitës dhe kritikat ndaj partive opozitare në vend.
Gjatë konferencës ka pasur edhe ndërhyrje nga një qytetar, i cili e ka pyetur drejtpërdrejt se kundër kujt po vepron PSD-ja, pushtetit apo opozitës.
“Ti a po lufton kundër pushtetit apo kundër opozitës?”, ka pyetur ai.
Molliqaj është shprehur se kur ai ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte 26 për qind të mbështetjes, ndërsa, sipas tij, opozita e ka dyfishuar këtë përkrahje.
“Nëse e ke problem qeverisjen e vendit, duhet me pasë opozitë. Nëse s’e ke problem, atëherë jemi në rregull. Ama këta e kanë rritur Kurtin. Se po më thonë mua kaq njerëz/qytetarë (se unë e rrita)… me të drejtë, unë kam ndihmuar dhe kam kontribuar atje. Ama unë e kam lënë Kurtin 26 për qind. Këta e kanë sjell në 51 për qind. Dyfishim! Prandaj unë besoj se opozita është e rëndësishme me qenë përnime. Le të bëhen opozitë përnime dhe bashkëpunojmë. Ama qishtu siç i shërbejnë atij dhe të tjerëve, nuk bën”, u shpreh Molliqaj.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se cili do të jetë ndryshimi i PSD-së nga partitë e tjera opozitare nëse siguron ulëse në Kuvend, ai ka thënë se partia e tij do të jetë prezente në seanca dhe do të reagojë varësisht nga çështjet që trajtohen. /EO



