Filozofia politike e shtetit dhe kriza e vizionit në Kosovë
Shkruan: Ethem Çeku
Zhvillimet e fundit në Kosovë shtrojnë një pyetje thelbësore mbi vizionin politik të partive shqiptare dhe filozofinë mbi të cilën ndërtohet politika jonë kombëtare. Në pamje të parë duket sikur ekziston një garë e madhe politike, por në thelb ajo shpesh reduktohet në oferta elektorale dhe jo në përballje të ideve dhe koncepteve shtetformuese. Premtime për paga, rrugë, energji, shëndetësi apo siguri dëgjohen vazhdimisht, por rrallëherë ato mbështeten mbi një filozofi të qartë zhvillimore dhe mbi një vizion historik për shtetin.
Problemi ynë themelor është se politika shpesh ndërtohet mbi shkakun dhe jo mbi konceptin. Ne reagojmë ndaj rrethanave, por nuk ndërtojmë një ide të qëndrueshme për drejtimin historik të kombit. Kjo ka krijuar një kulturë politike ku emocioni i momentit dominon mbi mendimin strategjik dhe ku politika, në vend se të jetë filozofi e organizimit të shoqërisë, shpesh shndërrohet në administrim të përkohshëm të krizave. Në këtë mënyrë, shteti mbetet pa bosht ideor, ndërsa shoqëria pa orientim të qartë historik.
Në thelb, politika moderne nuk ndërtohet vetëm mbi menaxhimin ekonomik apo mbi aftësinë për të fituar zgjedhje. Ajo ndërtohet mbi një filozofi të rendit, të shtetit dhe të ardhmes. Kur mungon kjo filozofi, politika bie në pragmatizëm, ndërsa shteti humbet identitetin strategjik. Pikërisht këtu qëndron një nga dobësitë historike të botës shqiptare: mungesa e një doktrine afatgjatë që e lidh lirinë me zhvillimin dhe shtetin me qytetarin.
Liria, në kuptimin modern politik, nuk është vetëm e drejtë për të jetuar i lirë, por aftësi kolektive për të ndërtuar rend, drejtësi dhe institucione funksionale. Një shoqëri bëhet vërtet e lirë vetëm atëherë kur krijon kulturë politike, vetëdije qytetare dhe disiplinë institucionale. Përndryshe, liria mbetet vetëm nocion emocional dhe jo projekt i organizimit modern të shtetit.
Kjo është arsyeja pse popujt e zhvilluar nuk e kanë parë shtetin vetëm si administratë, por si filozofi të organizimit kombëtar. SHBA-ja ndërtoi fuqinë e saj mbi kushtetutshmërinë, lirinë individuale dhe institucionet demokratike; Gjermania mbi disiplinën institucionale dhe ekonominë sociale të tregut; Franca mbi idenë republikane dhe autoritetin e shtetit; ndërsa Anglia mbi traditën parlamentare, ligjin dhe vazhdimësinë institucionale. Këto shtete e kuptuan se zhvillimi nuk është produkt i rastësisë politike, por rezultat i një filozofie kombëtare që e orienton shoqërinë drejt një vizioni historik.
Në Kosovë ende ekziston rreziku që politika të mbetet e lidhur me individin dhe jo me konceptin. Shpesh vota ndërtohet mbi emocionin dhe figurën e liderit, ndërsa mungon debati i thellë mbi modelin e shtetit dhe të shoqërisë që duam të ndërtojmë. Kjo e kthen politikën në individualizëm dhe jo në projekt kombëtar.
Prandaj, sfida më e madhe për Kosovën nuk është vetëm ndërrimi i qeverive, por ndërtimi i një filozofie moderne politike dhe shtetërore. Një filozofi që e sheh shtetin jo si instrument pushteti, por si organizëm historik dhe moral të kombit dhe që e kupton lirinë si përgjegjësi për të ndërtuar drejtësi, dije, ekonomi dhe institucione të qëndrueshme. Vetëm atëherë politika kalon nga propaganda në mendim shtetformues dhe nga improvizimi në vizion historik.



