Rahoveci në festë, nis “Final 8” dhe përurohet palestra

27 shkurt 2019 | 10:30

Qyteti i Rahovecit do të jetë në festë të basketbollit pasi sot fillon “Final 8” i Kupës së Kosovës, i cili do të zgjasë deri më 3 mars. Me këtë rast do të bëhet edhe përurimi i Palestrës.

Sot (e mërkurë) fillon  “Final 8” i Kupës së Kosovës në basketboll. “Final 8” do të mbahet në qytetin e Rahovecit dhe përfundon më 3 mars. Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka përshëndetur punën e madhe që ka bërë KB Rahoveci me mbështetjen e Kuvendit Komunal në përfundimin e punimeve në palestër. “I kanë bërë të gjitha përgatitjet organizative për ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës dhe ne jemi gati që gjithçka të fillojë të mërkurën. E përgëzojmë KB Rahoveci për punën e madhe që e ka bërë jo vetëm për organizimin e këtij aktiviteti, por edhe për përkushtimin dhe vullnetin e madh që e ka treguar për përfundimin e punimeve në palestrën e re, e cila do të inaugurohet në hapjen solemne”, ka thënë Dushku, e cila pret nga ekipet pjesëmarrëse dhe tifozët një spektakël të vërtetë basketbolli.

Ndërsa anëtari i bordit të KB Rahoveci, Alban Rama, ka thënë se është shumë i lumtur që palestra është kryer me kohë, kurse pret një organizim të shkëlqyeshëm të “Final 8”. “Ne jemi të gatshëm dhe ka filluar edhe shitja e biletave ku do të ketë bileta ditore me çmim dy euro, kurse për tifozët e ekipeve do të ketë bileta të veçanta një euro, pasi ata do të jenë të pranishëm vetëm në ndeshjet e skuadrave të tyre dhe më pas duhet ta lirojnë palestrën”, ka thënë Rama, i cili ka treguar se janë në kontakte të vazhdueshme me Policinë e Kosovës, por është siguruar edhe sigurimi privat në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë.

Basketbollisti i Rahovecit, Rron Grapci, ka thënë se ndihet shumë i lumtur me faktin se do të luajnë në palestrën e tyre. Basketbollisti pejan dëshiron që Rahoveci të nisë me këmbë të mbarë në palestrën e re. “Ne jemi shumë të lumtur që do të luajmë në palestrën tonë dhe para tifozëve tanë. Jemi përgatitur maksimalisht si ekip për të gjitha ndeshjet dhe shpresojmë të fillojmë me këmbë të mbarë në palestrën e re. Synimi është sigurimi i një vendi në finale”, ka thënë Grapci, duke pranuar se konkurrenca është shumë e madhe në këtë garë.

Synime të mëdha, si zakonisht, në garën e Kupës ka edhe skuadra e Prishtinës. “Sa i përket ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës, synimet e Z Mobile Prishtinës janë që ta mbroj trofeun e fituar një vit më parë dhe besoj se me potencialin që e kemi në skuadër do të arrijmë ta realizojmë këtë synim”, ka thënë Edmond Azemi, kapiten i Prishtinës. Lidhur me synimet e KB Bashkimi në garën e Kupës, Qëndrim Biraj ka deklaruar: “Në çerekfinale do të luajmë kundër rivalit lokal KB Ponte Prizrenit, të cilin e njohim mjaft mirë, por edhe ata na njohin neve. Shpresojmë se do të fitojmë në këtë përballje dhe më pas të vazhdojmë tutje. Synimet tona janë të shkojmë në finale dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Sikurse Biraj, optimist është edhe kapiteni i Ponte Prizrenit, Qëndrim Ajazaj. “Jemi përgatitur për duelin me KB Bashkimin. E njohim mjaft mirë si kundërshtar, andaj do të bëjmë përpjekje që të shënojmë fitore dhe kështu të avancojmë tutje në ‘Final 8’ të Kupës”, ka thënë ai.

Në çerekfinale Feronikeli do të jetë kundërshtar i Golden Eagle Yllit, kapitenët Altin Gashi (Ylli) dhe Mustafë Merovci (Feronikel) kanë paralajmëruar se synim e kanë fitoren për të vazhduar tutje në garën e Kupës. Krahas ndeshjeve në konkurrencën e meshkujve, do të zhvillohen edhe ndeshjet në konkurrencën e femrave.

Orari i “Final 8”

Të mërkurën takohen:

14:00 Bashkimi – Prishtina (Femrat/Gjysmëfinalja e II-të)
16:30 Z Mobile Prishtina – Trepça
19:00 Rahoveci – Don Bosko

Të enjten takohen:

16:30 Golden Eagle Ylli – Feronikeli
19:00 Ponte Prizreni – Bashkimi

Të premten takohen:

16:30 Gjysmëfinalja e I-rë
19:00 Gjysmëfinalja e II-të

E shtunë takohen:

19:00 Ndeshja për medaljen e bronztë

Të dielën takohen:

14:00 Finalja në konkurrencën e femrave
17:00 Finalja në konkurrencën e meshkujve

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti për Gripin Sezonal në nivel të Shërbimit Spitalor dhe…