Rama: Demokracia sot po përballet me sfidën e algoritmeve
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim prej 67 minutash në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
Ashtu siç edhe pritej, fjalimi i tij ishte i përqendruar te protesta jopartiake që po zhvillohet prej tre javësh në bulevard.
Rama foli për një industri shumë fitimprurëse, atë të algoritmit të ‘like’ dhe ‘follow’ për të bërë më shumë klikime, para dhe pushtet.
“Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet atij në dispozicion. Ai shpërblen indinjatën dhe ai shpërblen edhe frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime. Klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para dhe kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne”, deklaroi Rama.
“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjike që nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe, në fakt, nuk ka fare për objekt Shqipërinë. Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj, jo si autorë, as si protagonistë, por thjesht si skenë dhe kjo në vetvete është risia e kohës që ne jetojmë, një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt sesa vërtetësia e lajmeve, ku emocionet mbërrijnë përpara fakteve dhe ku shumë shpesh perceptimi bëhet e vërteta, ndërsa e vërteta mbetet krejt jetime”, ka theksuar Rama.
Ai ka theksuar se kjo është një histori paralajmëruese, jo për mandatin e tij, as për mandatin e kësaj shumice qeverisëse, por për demokracinë në epokën e algoritmit, “si dhe për nevojën që ne të parët, me përgjegjësinë e atyre që kanë mandatin të udhëheqin Shqipërinë, ta lexojmë këtë histori sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi”.
“Kjo kohë e ka sjellë këtë mekanizëm në jetën tonë dhe, përballë vështirësisë për të parashikuar zhvillimin e këtij mekanizmi, ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet kur, për të kuptuar politikën sot, nganjëherë është mirë të largohesh pak prej saj dhe të hapësh librat e historisë”, ka pohuar Rama.
Rama ka thënë se demokracitë janë ndërtuar për qytetarët, jo për algoritmet.
“Janë ndërtuar për njerëzit që votojnë, jo për platformat që optimizojnë zemërimin. Kjo është beteja e kohës sonë. S’ka lidhje më me të majtën dhe me të djathtën, me qeverinë dhe me opozitën, por ka lidhje me konfliktin e hapur midis politikës në shërbim të njerëzve, në shërbim të vendit, në shërbim të punës për vendin dhe algoritmit”, është shprehur Rama.



