Rama e padit Muratin për bllokadën e buxhetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka inicuar një padi ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për bllokadën e buxhetit.
Rama ka thënë se punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër” prej kohësh po përballen me vonesa në marrjen e pagave të tyre, si pasojë e bllokadës së buxhetit nga Qeveria.
“Sot i prita në takim përfaqësuesit e ndërmarrjes, të cilëve me shqetësim dhe mirëkuptim të thellë njerëzor u shpjegova situatën e krijuar. Kjo bllokadë, e cila po dëmton jo vetëm punëtorët por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe me prapavijë të qartë politike. Për këtë arsye, kemi iniciuar padi ndaj ministrit Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë pengesë të qëllimshme. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë punëtorët për durimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, të cilët përkundër sfidave ekonomike dhe presioneve kanë vazhduar të kryejnë punën me dinjitet, duke mos e ndalur asnjë ditë shërbimin ndaj qytetarëve tanë. Ky është shembulli më i pastër i përgjegjësisë dhe integritetit punëtor. Ju siguroj se jam në krahun tuaj dhe do të vazhdoj me vendosmëri çdo rrugë ligjore e institucionale deri në zhbllokimin e mjeteve të ndërmarrjes deri në shpërblimin e drejtë të çdo punëtori me pagën që e ka fituar me punë. E drejta do të triumfojë, padrejtësia nuk do të tolerohet”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Pas kësaj padie, Murati i ka reaguar Ramës, duke thënë se ndërmarrjet komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore nuk ka asnjë kompetencë mbi to. “Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, Përparim. Ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore s’ka asnjë kompetencë tek to. Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kjo është arsyeja kryesore. Gjithçka tjetër është broçkulla. Para kolapsit janë edhe ato ndërmarrje që financohen kryekëput nga tarifat për shërbimet që ofrojnë, e kjo nuk ka lidhje me buxhetin komunal, por thjesht është keqmenaxhim i komunës. Kjo ka ndikuar që shumë projekte që financohen nga partnerët ndërkombëtarë ose të vonohen apo edhe të rrezikohet në tërësi implementimi i tyre”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Ai ka theksuar se sa i përket buxhetit, tashmë disa herë ka sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune.
“Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projekt-buxhetin brenda afatit ligjor. Këtë e di mirë edhe Përparim Rama, por që i përballur me dështimet gjithandej pas 4 viteve keqqeverisje, mendon se mund t’i mashtrojë votuesit duke hedhur fajin tjetër kund”, ka shkruar Murati.



