Rama: Hekurudha kuqezi nuk lidhet me zgjedhjet, por me vizionin ‘Shqipëria 2030’

16 prill 2025 | 16:25

Nga rubrika “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi projektin madhor të hekurudhës “Kuq e Zi”, që synon të lidhë Durrësin me Prishtinën përmes Shkodrës dhe Gjakovës. Kreu i qeverisë, ka theksuar se ky projekt nuk është pjesë e një agjende zgjedhore, por pjesë e strategjisë afatgjatë “Shqipëria 2030”.

Hekurudha ‘Kuq e Zi’ është trajtuar në çdo fazë dhe është bërë publike në mbledhjet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës. Nuk ka lidhje me zgjedhjet. Ne kemi hyrë në një fazë të re, ku është përcaktuar edhe traseja më e mirë – ajo që kalon nga Shkodra në drejtim të Gjakovës dhe më tej në Prishtinë”, ka thënë Rama.

Kryeministri bëri të ditur se kostoja për ndërtimin e linjës do të përcaktohet nga një studim i detajuar teknik, i cili do të kryhet nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë me mbështetjen e Fondit Evropian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Sa do të kushtojë, këtë do ta tregojë projekti i detajuar. Por një gjë është e sigurt – pa financim, hekurudha nuk bëhet. A do të realizohet apo jo? Kjo mbetet në dorën e atyre që projektojnë në funksion të së ardhmes”, ka thënë Rama.

Në vijim, ai renditi edhe disa nga projektet hekurudhore që janë aktualisht në zhvillim ose në faza përgatitore:

  • Tiranë–Rinas-Durrës: Puna është drejt përfundimit.
  • Durrës-Hani i Hotit: Punimet nisin brenda vitit.
  • Rrogozhinë-Pogradec dhe Durrës-Rrogozhinë: Në fazë projekti.
  • Korridori 8 hekurudhor: Me lidhjen Durrës-Fier-Vlorë, pritet të nisë në vitet në vijim.

Hekurudhat janë një kapitull i ri për Shqipërinë. Para pak vitesh nuk na merrnin seriozisht, as Bashkimi Evropian, as bankat zhvillimore. Sot jemi pjesë e tryezave të mëdha të investimeve dhe kjo reflektohet edhe në projektet që po marrin jetë”, ka thënë Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tregolëshi i Serhou Guirassy nuk mjaftoi që Borussia Dortmund të…