Rama i drejtohet Kushtetueses për buxhetin e Prishtinës

05 shtator 2025 | 11:54

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një lëndë kundër Ministrisë së Financave, për siç ka thënë, cenimin e buxhetit të kryeqytetit.

Ai ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj Komunës së Prishtinës.

Rama tha për mediat se bëhet fjalë për 35 milionë euro, që sipas tij, ligjërisht i takojnë kryeqytetit, e të cilat, sipas kreut të Prishtinës, janë të bllokuar që nëntë muaj.

“Fondet tona, fondet të cilat me ligj i takojnë kryeqytetit, qytetarëve të kryeqytetit dhe shpenzohen për të mirën e kryeqytetit, janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Pra, e keni parë gjatë këtyre katër vjetëve, në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme. Prej fillimit, prej unazës së kryeqytetit ku e kanë bllokuar procesin e zhvillimit të unazës, ku 82.4 milionë prej 206 milionëve kanë qenë falas, por për çështje puro politike ministri [në detyrë i Financave] Murati e ka bllokuar procesin”, theksoi Rama, raporton REL.

Ku qëndron problemi?

Në Ligjin për menaxhimin e financave publike në Kosovë përcaktohet se komunat kanë afat deri më 30 shtator për ta miratuar buxhetin e vet për vitin pasues fiskal. Nëse nuk e respektojnë këtë afat, ato humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.

Komuna e Prishtinës më 9 dhjetor 2024 – pra me vonesë – e ka miratuar buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 128 milionë eurosh, rreth 6 milionë euro më i lartë sesa ai i vitit paraprak.

Në situatë të ngjashme janë edhe Gjilani dhe Zubin Potoku. Buxhetet e reja të tyre nuk janë përfshirë në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili është miratuar paraprakisht në nëntor nga Kuvendi i Kosovës.

Për shkak se buxheti i Komunës së Prishtinës është miratuar pasi është miratuar Ligji për buxhetin, është kërkuar të ndryshohet ky ligj, i cili ka kaluar në Qeveri, por jo edhe në Kuvend të Kosovës. Por, ai tani as nuk mund të kalojë, pasi ka paqartësi lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, kur buxheti i ri i një komune nuk përfshihet në Ligjin për buxhetin, për shkak të vonesës në miratimin e tij, Ministria e Financave autorizon shpenzime mujore në nivelin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar për çdo muaj, deri në fund të muajit qershor.

Pas kësaj periudhe, nuk mund të autorizohen fonde për kategori të tjera, përveç pagave dhe obligimeve të detyrueshme, dhe ato kërkojnë miratim nga kuvendi komunal çdo muaj.

Kategoritë, si investimet kapitale, mallrat, shërbimet dhe subvencionet, mbesin të bllokuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që në periudhën janar…