Rama komenton refuzimin e “Ballkanit të Hapur” nga Kosova

04 nëntor 2021 | 13:20

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të enjten në Beograd se në takimin e radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” që do të mbahet në Tiranë në dhjetor, të gjitha marrëveshjet do të kthehen në “rezultate konkrete”.

Ai ka theksuar se Serbia ka bërë një hap përpara në tërheqjen e investimeve të huaja.

Pas një takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, Rama ka thënë se nisma e “Ballkanit të Hapur” fokusohet te biznesmenët, fermerët, shpërndarësit, punëtorët, studentët dhe akademikët.

“Secili prej tyre ka vuajtur në një farë mënyre në kufi, nga pritja e deri te kontrollet e ndryshme, e të tjera si këto”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se thelbi i nismës është se si t’i bëjmë ekonomitë dhe tregjet tona të rriten së bashku, pasi ato mbeten të vogla individualisht, si dhe si “të kemi një fluks më të madh të investimeve të huaja direkte në të gjithë rajonin”.

“Ju mund të shihni se çfarë ka bërë Serbia, të cilën unë e marr si shembull, sepse ka bërë një hap të madh përpara në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, ka thënë Rama.

Më tutje, Rama ka folur edhe për Kosovën, e cila ka refuzuar t’i bashkohet kësaj iniciative. Rama ka thënë se i konsideron “arsye të mosarsyes” argumentet për të mos iu bashkuar kësaj nisme.

“Arsyet pse të tjerët janë skeptikë ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur i kam dëgjuar me shumë vëmendje, dhe të Malit të Zi, Bosnjës edhe të Kosovës, por më vjen keq pasi i konsideroj si arsye të mosarsyes”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Faton Zeqiri nga Prishtina shpall të pavlefshme dëftesat dhe diplomën …