Rama për testimin e unazës: Unë dhe stafi bashkëndiejmë me ju

28 tetor 2022 | 20:13

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një deklaratë rreth testimit të Unazës së brendshme të kryeqytetit.

“Gjatë ditës së sotme kemi marrë një mori kërkesash për prononcime rreth testimit të Unazës së brendshme të kryeqytetit. Meqë ekipi i mobilitetit ka qenë gjatë gjithë ditës në terren duke monitoruar procesin e testimit, ka qenë e pamundur të aranzhojmë intervista”, ka thënë Rama në deklaratën për medie.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës së Prishtinës bashkëndjejmë me ju”, ka thënë ai.

Rama ka theksuar se ky testim si dhe testimet e mëparshme janë bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe të qyteteve tjera të cilët punojnë dhe e vizitojnë kryeqytetin.

Deklarata e kryetarit Rama:

Të dashur qytetarë, Po ju drejtohem në lidhje me procesin e testimit të Unazës së Brendshme në Kryeqytet. E kuptoj plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës së Prishtinës bashkëndjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot. Gjatë gjithë ditës së sotme, ne kemi bërë identifikimin e fytave të ngushtë dhe njëkohësisht kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të Kryeqytetit tonë.
Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim.
Dua të bëj një falënderim të veçantë për Policinë e Kosovës, për punën e zellshme dhe bashkëpunimin efektiv. Po ashtu, dua të falënderoj edhe Task Forcën e krijuar për këtë qëllim, të cilët monitoruan udhëkryqët nga afër si dhe përmes teknologjisë me dron dhe pajisje softuerike. Dua të ju siguroj se ky testim si dhe testimet e mëparshme janë bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe të qyteteve tjera të cilët punojnë dhe e vizitojnë Kryeqytetin. Kam besim të plotë që bashkërisht do t’ia dalim ta transformojmë Prishtinën tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe drejtori i Investimeve Kapitale…