
Rama për vendosjen e maskave: Ta sprapsim rrezikun e një infektimi masiv
Kryeministri Edi Rama shpjegoi sërish vendimin se përse nga kjo javë të gjithë qytetarët edhe në ambientet e jashtme duhet të mbajnë maskë. “Të gjithë ne së bashku do të bëjmë diçka të madhe, t’i respektojmë rregullat e t’i vendosim maskat. Këto të fundit nga dita e enjte do të jenë të detyrueshme, në mënyrë që larg qoftë të mos detyrohemi të mbyllemi sërish. Është shumë e rëndësishme ta sprapsim rrezikun e një infektimi masiv që mund të na çojë në mbyllje, sepse aty vërtet pastaj do të jetë shumë e rëndë për të gjithë”, ka thënë Rama.
Kjo ishte përgjigjja e kryeministrit për një ish-emigrant i cili e pyeti për amnistinë fiskale.
“Jemi në proces, po punojmë dhe po punojmë ngushtësisht me ekspertizë ndërkombëtare, sepse unë jam i bindur që njerëzve si ti janë me mijëra, që kanë kursimet e tyre nga jeta në emigrim, e për më tepër atyre që kthehen në Shqipëri, po dhe nëse nuk kthehen duan që t’i formalizojnë paratë e tyre në Shqipëri, duhet t’u japim mundësinë e amnistisë fiskale”, ka thënë Rama.
Këto komente kryeministri i bëri në rubrikën e tij të përjavshme “Përgjigja ime”.