Rama shfuqizon vendimin e Ahmetit, s’ka më 50 euro për prishtinasit që infektohen nga Covidi

11 shkurt 2022 | 16:26

Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka shfuqizuar të premten vendimin për subvencionimin e qytetarëve që kanë qenë të infektuar me Covid-19.

Vendimi që ishte marrë gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit është shfuqizuar sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kështu prishtinasit që infektohen me Covid-19 nuk do të kompensohen më me para nga komuna e tyre.

Më 26 vota pro, 18 vota kanë qenë kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për propozim-vendimin për shfuqizimin e vendimit të datës 26 nëntor 2020 për subvencionimin e qytetarëve të komunës së Prishtinës të infektuar me Covid-19.

LV-ja nuk e ka përkrahur këtë vendim në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ku asamblisti Gëzim Sveçla, ka thënë se propozimi i Ramës është i padrejtë.

Ndërsa kryetari Përparim Rama, ka thënë se në kohën kur është marrë ky vendim, ka qenë situatë tjetër me pandeminë.

Rama ka paralajmëruar se do të krijohet një grup punues për ta analizuar gjendjen dhe që të ndihmohen vetëm personat që kanë nevojë.

Më tutje, Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka dalë në mbështetje idesë së kryetarit Rama që të vlerësohet gjendja dhe të formohen komisione të tjera.

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte marrë vendim që t’i ndahen 50 euro për shpenzime shëndetësore për çdo të infektuar dhe 100 për pensionistët që infektohen me këtë virus.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportet ndërmjet Greqisë dhe Kosovës kanë avancuar tepër. Athina dhe…