Rama tregon se kur do të rriten pagat në shëndetësi, arsim dhe ushtri
Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se të ardhurat e larta në buxhet i japin Qeverisë komoditetin për të aplikuar nga 1 prilli i vitit 2019 rritjen e pagave në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje.
“Kemi mundësinë të bëjmë një rritje tjetër duke nisur nga 1 prilli. Qëllon që është një ditë përrallash, por për na ka qëlluar një ditë ku kemi pasur disa zhvillime pozitive për vendin. Kështu do të jetë për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët. Në sektorin e shëndetësisë do të kemi rritjen më të lartë, 10 për qind. Në arsim 7 për qind, janë 4 560 mjekë dhe 13 765 infermierë dhe 35 mijë arsimtarë që do të përfitojnë këtë rritje. Do të kemi një rritje për sektorin e mbrojtjes në një masë që do të variojë sipas kategorive 5-7 për qind”, është shprehur Rama, raporton “TCh”.
Buxheti është një nga temat që përplas pozitën edhe opozitën, por që kryeministri shqiptar ka thënë se çdo fjali kundër në këtë drejtim nga rivalët politikë do të ishte e kotë.