Ramadani: Avaz i vjetër i LV-së për përçarje, Ardian Gjini ka qenë në rreshtat e UÇK-së, s’e ka përdorur luftën asnjëherë
Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se fushata kundër deklaratave të bashkëpartiakut të tij, Ardian Gjini, i cili këto zgjedhje është i propozuari i AAK-së për kryeministër, është avaz i vjetër “i përçarësve të Vetëvendosjes”.
“Me pafytyrësinë më të madhe, paskan vazhduar të thurrin përralla e të bëjnë paralele me Serbinë për njerëzit që llogaritë me Serbinë i kanë kryer që në vitet e 90-ta. Po mundoheni me i bë ‘spin’ deklaratat e Ardian Gjinit, ani pse ju e të gjithë qytetarët e dinë mirë që ai asnjëherë se ka përdor luftën, as s’ka dalë me u shitë hero, e këtë e ka bë prej modestisë e njerëzillakut që e ka e që ja njohin të gjithë”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka thënë Gjini ka qenë në UÇK dhe se ai s’mund të njolloset nga “makineria e propagandës”.
“Po me juve definitivisht s’ka modesti. Ardian Gjini ka qenë në rreshtat e UÇK-së kur ka kërcitë pushka, e pjesë e të gjitha proceseve shtet ndërtuese të Kosovës. Ardian Gjini nuk njolloset me asnjë makineri të propagandës. Të njëjtën metodë e përdorët me luftëtarin ekzemplar shqiptar Ramush Haradinajn, duke mos ia kursyer as vëllezërit heronj, as lotët e nanës Rukë. Por, Ramushi e Ardiani po ua zhveshin në themel propagandën tuaj përçarëse! Të gjithë qenkan me Serbinë sipas jush, përpos Hibridave tuaj që tash e sa kohë propagandojnë zi e terr! E turpshme!”, ka thënë Ramadani, duke kërkuar që të ndalët kjo fushatë.
“Ndaleni këtë gjuhë të fëlliqtë e këtë përçarje. Mjaft folët për Serbinë prej kolltukëve të pushtetit, sepse argati asaj i bëhet kur e leni Kosovën pa miq e pa institucione, të bllokuar e të varfëruar, veç për teket tuaja për monopol absolut. Duheni me qenë njerëz së pari, pastaj mundeni të bëni fushatë të ndershme”, ka thënë Ramadani.
Së fundi, Gjini bëri disa deklarata kundër pushtetit, duke thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rrëshqitur në totalitarizëm.
“Nëse një i zgjedhur i popullit në një moment të caktuar i ka fituar 50 për qind të votave thotë se ose bëhet qysh po them unë ose hiç, është problem, atëherë kemi rrëshqitje në sistem tjetër … është totalitarizëm total”, ka thënë ai.
Gjini po ashtu kishte folur edhe për partneren e Kurtit në koalicion, Donika Gërvalla, për të cilën ka thënë se edhe si bijë e heroit kur e shkel ligjin duhet të ndëshkohet.



