Ramadani: Duam, të paktën, një fitore

05 janar 2018 | 11:46

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, është optimist se ekipi përfaqësues që drejtohet nga ai do të arrijë të paktën një fitore në kualifikimet për kampionatin botëror. “Synimi është të sigurojmë një fitore dhe t’i shtyjmë polakët dhe portugezët deri në fund”, ka thënë Ramadani.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është duke i zhvilluar nga dy stërvitje në ditë në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kampionatit Botëror, i cili mbahet vitin tjetër në Gjermani dhe Danimarkë. Stërvitjet e Kosovës do të jenë nga dy herë në ditë deri më 11 janar, kurse një ditë më vonë do të luajë ndaj Polonisë që është favorite e grupit të katërt. Më 13 janar Kosova përballet me Portugalinë dhe më 14 janar me Qipron. Duke folur për synimet që ka Kosova në këto kualifikime, përzgjedhësi Taip Ramadani ka thënë se do të angazhohen të gjithë maksimalisht për të korrur rezultate sa më të mira.

“Synimi është të sigurojmë një fitore dhe t’i shtyjmë polakët dhe portugezët deri në fund. Realisht këto dy ekipe kanë përvojë ndërkombëtare të madhe dhe shumica e lojtarëve të tyre luajnë javë për javë në Ligën e Kampionëve. Janë favoritë, por nuk do t’ia dhurojmë askujt fitoren pa luftë”, ka thënë Ramadani, duke konfirmuar atmosferën e mirë që gjendet brendapërbrenda përfaqësues. “Motivi në ekip është jashtëzakonisht i lartë. Ka humor dhe shoqëri të mirë mes lojtarëve, por ata janë të vetëdijshëm që konkurrenca është shumë e fortë për pozita. Gjithsesi është një konkurrencë pozitive dhe për këtë kam respekt të madh ndaj lojtarëve”, ka deklaruar ai.

Sipas numrit një në përfaqësuese, në planprogram është të punohet për përgatitjen taktike dhe teorike si dhe do të ketë edhe analiza të incizimeve dhe do të punohet për zhvillimin e sistemeve të lojës. Po ashtu, do të ketë edhe stërvitje të mbrojtjes, përfshirë koordinimin e lojtarëve dhe portierit, pastaj do të punojmë në kundërzbritjet. Kosova në ekipin përfaqësues të hendbollit vitet e fundit është duke shënuar një ngritje për nga cilësia, prandaj edhe rezultatet befasuese janë të pritshme në këto kualifikime.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në juglindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është…