Ramadani: Fitojmë Kupën dhe dalim në Evropë

22 prill 2021 | 20:20

Futbollisti Arbnor Ramadani është i lumtur se Llapi është kualifikuar në finale të Kupës derisa beson se do ta mposhtë Dukagjinin e Klinës.

Skuadra e Llapit ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Kupën e Kosovës pasi është kualifikuar në finale. Rruga deri në finale për skuadrën që drejtohet nga Tahir Batatina nuk ka qenë aspak e lehtë pasi është përballur me skuadra të forta si Ballkani, Trepça ’89 dhe Prishtina.

Futbollisti i Llapit, Arbnor Ramadani, të enjten për “Epokën e re” ka thënë se në finale kanë arritur me meritë dhe me angazhim maksimal. “Është e vërtetë se kemi pasur skuadra shumë të forta deri në finale, mirëpo ia kemi arritur qëllimit me punë të madhe dhe disiplinë”, ka thënë Ramadani.

Në finalen e madhe Llapi do të përballet me skuadrën e Dukagjinit, e cila është pjesë e Ligës së Parë.

Futbollisti Ramadani ka shprehur optimizëm se skuadra nga Podujeva do të triumfojë edhe ndaj Dukagjinit. “Nuk bën të gabojmë në finale pasi kemi treguar ndeshje të mira në garën për Kupë dhe kemi eliminuar skuadra shumë të fuqishme. Dukagjini është një klub i mirë me shumë futbollistë cilësorë. Ne do ta japim maksimumin edhe në këtë ndeshje dhe ta arrijmë objektivin tonë që ta sjellim Kupën në Podujevë”, ka thënë Ramadani. “Klubi i Llapit që disa kohë ka synim pjesëmarrjen në garat evropiane. Besojmë shumë se do ta fitojmë Kupën dhe të marrim pjesë në parakualifikimet e Ligës së Evropës. Na duhen edhe dy apo tri transferime”, ka shtuar Ramadani.

Për dallim nga garat për Kupë, Llapi në kampionat nuk ka treguar stabilitet, pasi në sezonin vjeshtor ishte në vendin e parafundit, derisa në pranverë është rikthyer dhe tash renditet në vendin e pestë me 36 pikë. Kjo skuadër, prej 29 ndeshjeve të zhvilluara në elitë, ka regjistruar 11 fitore, 3 barazime dhe 15 humbje.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit aktual,…