Ramadani: Nëse vazhdohet njëjtë, Kosova kolapson më 4 prill 2026

20 korrik 2025 | 17:04

Njohësi i Sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se nëse vazhdohet njëjtë, atëherë Kosova do të kolapsojë më 4 prill të vitit 2026.

Sipas Ramadanit, nëse deri në prill të vitit 2026 nuk konstituohet kuvendi, atëherë Kosova do të kaplohet nga kriza më e thellë e parë ndonjëherë, me shumë të panjohura rreth mundësive për të dalë nga ajo, e që sipas tij, do të ishte kolaps.

“Si mund ta arrijnë këtë? Qartësisht, duke mbajtur të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pra, duke mos zgjedhur Kryetarin e Kuvendit deri më 4 prill 2026. Atëherë, Kosova nuk ka asnjë institucion që mund të merr vendime, madje edhe për të tejkaluar bllokadën. Si pasojë, vendi praktikisht kolapson”.

“Më 4 prill 2026, Presidentja aktuale përfundon mandatin, pasi që është betuar më 4 prill 2021, pra kjo është e pandryshueshme”, tha Ramadani.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Ramadanit:

Sipas skenarit më të keq, kjo është rrjedha:

  1. Kuvendi i Kosovës është ende i bllokuar, sepse partia që e ka për obligim të bëjë shumicën parlamentare nuk ka dashur dhe/ose nuk ka arritur ta bëjë këtë;
  2. Rrjedhimisht, nuk ka Ushtrues të Detyrës së Presidentit, sepse as Kryetari dhe as nënkryetarët e Kuvendit nuk janë zgjedhur;
  3. Kuvendi i pakonstituuar nuk mund të miratojë Buxhetin për vitin 2026 dhe, sipas legjislacionit në fuqi, dy herë nga 1/12-ta e Buxhetit 2025 është tejkaluar;
  4. Punonjësit e shtetit, pra shërbyesit civilë e profesionalë, nuk mund të marrin pagat e veta, sepse – siç është qartësuar nga Gjykata Supreme – deputetët që po dalin edhe më tutje në zyret e Ministrave nuk mund të marrin vendime të reja ekzekutive;
  5. Një numër i madh i institucioneve dhe agjencive që udhëheqen edhe tash nga të emëruar Ushtrues Detyre do të kolapsojnë në vendimmarrje, sepse është qartësisht anti-ligjore cilido vendim që marrin pasi të kenë kaluar 6 muaj si U.D;
  6. Asnjë pagesë për punët në mirëmbajtje apo investime kapitale nuk mund të bëhet, sepse kjo tejkalon kompetencat ligjore të atyre që do të duhej të bënin pagesat.

Pra, nuk ka asnjë autoritet – përfshirë këtu “Qeverinë në Detyrë” që mund të merr vendime të reja.

Ekziston një keq-kuptim i përgjithshëm në opinionin publik (madje në nivele të larta të përgjegjësive!) se në raste të këtilla, kompetencat për udhëheqjen e shtetit përkohësisht i barten Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ky është veç një keqkuptim elementar, sepse askund, bash askund në Kushtetutë e në ligje të Kosovës kjo nuk është e paraparë. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë mundësi të ndodh. Ka shtete të ndryshme nëpër botë që e parashohin një mundësi të tillë, por kjo nuk është Kosova.

Aksush nuk mund t’i shpallë zgjedhjet parlamentare!

Në një skenar të këtillë, kur Kuvendi nuk konstituohet deri më 4 prill 2026, pra nuk ka as Kryetar dhe as Nënkryetarë të Kuvendit dhe Presidentes aktuale i mbaron mandati, Kosova nuk mund as t’i shpallë zgjedhjet e parakohshe parlamentare.

Sepse, nuk ekziston një autoritet kushtetues që ka kompetencë të drejtpërdrejtë për të shpallur zgjedhjet. Këtë kompetencë me Kushtetutë e ka vetëm Presidenti i Kosovës dhe në mungesë të tij/saj këtë e ka U.D Presidenti. Por, kur nuk ka as U.D President, kjo paraqet vakuum të thellë kushtetues e institucional.

Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon qartësisht se si mund të zgjidhet situata e bllokimit insitucional në rast të mungesës së të gjitha këtyre funksioneve njëkohësisht. Në një situatë të tillë, nuk ka asnjë autoritet kushtetues të autorizuar për të shpallur zgjedhjet dhe kjo nënkupton mosfunksionim total të të gjitha institucioneve shtetërore.

Sërish, kompromis politik: për Kuvend dhe për Qeveri që harton Buxhetin!

Në një skenar të këtillë, e vetmja formë normale – nëse mund të quhet kështu pas kolapsit qoftë edhe veç 1 ditor – është kompromisi politik midis partive politike.

Nëse këtë e përkthejmë në termat e zhvillimeve të sotme politike, sërish e vetmja formë për të tejkaluar kolapsin është arritja e shumicës prej 61 deputetëve që votojnë për Kryetar Kuvendi, që po atë ditë do të bëhej edhe U.D i Presidentit. Në bindjen time, kjo do të thoshte të ndrrohet emri i kandidatit dhe të propozohet dikush që merr këtë shumicë parlamentare. Pra, diçka që është dashur të ndodh tash e rreth 4 muaj!

Por, pas një kolapsi që rrezikohet (qoftë edhe 1 ditor), më nuk bëhet fjalë vetëm për kompromis që Kuvendi të konstituohet dhe menjëherë të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Jo.

Një Qeveri e shpejt do të ishte obligim për Kuvendin e “pas-kolapsit”. Sepse, shteti në prill 2026 është pa Buxhet. Dhe, një projekt-buxhet mund ta përgatit dhe paraqes vetëm Qeveria, jo Kuvendi. Ligji për Buxhetin nuk është sikurse iniciativat tjera ligjore që mund të ndërmarrin deputetët.

Dhe, pastaj, detyra e parë e Kuvendit do të ishte të zgjedh shpejt e shpejt një Qeveri që do të ishte në gjendje të propozonte menjëherë një Buxhet për muajt e mbetur të vitit 2026.

“Kosova ka Qeveri, por s’ka Parlament” është formula për kolapsimin e Kosovës

Përfundimisht, ky shkrim është skenari më i errët që mund t’i ndodh Kosovës. Formula që çon në këtë kolaps është fjalia (që po më duket se nuk është e paplanifikuar!) se “Kosova ka Qeveri, por s’ka Parlament!”.

Ky alarmim edhe mund të jetë i parakohshëm. Por, fatkeqësisht, këta të mendësisë uzurpuese “o ne të mbetemi në pushtet, o askush tjetër!” nuk lënë fort hapësirë për të menduar për skenaret pozitive e zhvillimore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mohamed Salah, një nga ‘yjet’ më të mëdhenj të futbollit…