
Ramiz Lladrovci: I gatshëm për ballafaqim me panelistë rreth përgjimeve shantazhuese
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar rreth audioincizimeve që ai i konsideron shantazhuese.
Lladrovci ka thënë se është i hapur për debat me panelistë në cilindo medium.
Ai ka thënë se interesi i tij si kryetar ka qenë që ta ngris vlerën e asaj prone, duke shtuar se komuna do të përfitonte mbi 27%.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Mediumi me përparësi është debati me panelistë te VOX Kosova.
Shprehem i gatshëm për çdo ballafaqim me panelistë në cilindo studio rreth përgjimeve shantazhuese, rreth një prone me investitorët potencial në qendër të Drenasit. Jam i gatshëm të jap të gjitha sqarimet se kam vepruar në kuadër të përgjegjësive që mi jep ligji, ndërsa gjuha e përdorur, e pranoj, nuk ishte diplomatike.
Audioincizimi në Zyrën e Kryetarit, dëshmon qartë se kam pasur interesim të jepet ajo pronë për shfrytëzim për investitorët e mundshëm, ku komuna do të përfitonte mbi 27% apo mbi 10.000 metra katror, asnjë metër nuk ka qenë as e menduar as e thënë në incizim e as e planifikuar për interesa personale.
Interesi im si kryetar ka qenë të bëj ngritjen e vlerës së asaj prone, ta bëj sa më atraktive për investitorët potencial duke e vlerësuar madje edhe duke e mbivlerësuar në interes publik, ku pos mbi 10.000 metrave për komunën, do të bëheshin edhe punësime si dhe tatimet në pronë të mbi 40.000 metrave katror.
Konsideroj se qytetarët e kanë parasysh që qëllimi im ishte të bind Labinotin, Arigonin, Hamitin, Bekimin dhe Ndriçimin se është me leverdi dhënia e pronës në shfrytëzim, kur dihet se këta pesë asamblistët e PDK-së, kanë qenë kundër dhënies në shfrytëzim të pronës te Komuna e Vjetër.
Prona nuk ishte megjithatë atraktive, nuk ka hy në procesin e ofertimit dhe zhvillimin e procedurave tjera, për të cilën Kuvendi i Komunës do të duhej me vota ta miratonte. Prandaj, ballhapur i ftoj panelistët për debat, për të hedhur poshtë shantazhin e lidhur ngushtë me fushatën dhe humbjen e pandalshme të oponentëve të mi politik.
Me nderime,