Ramosaj: Deçani pati një vit të vështirë

06 janar 2022 | 15:53

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se viti 2021  ka qenë sfidues për qytetarët e kësaj komune. Ai ka thënë se helmimi i qytetarëve nga uji i pijes, vrasja e trefishtë dhe vdekjet e njerëzve për shkak të Covid-19 janë arsye pse viti i kaluar ka qenë i vështirë për deçanasit.

Ramosaj ka thënë se pret nga organet e drejtësisë që të zbardhin rastin e helmimit me ujë të pijes të shumë qytetarëve të kësaj komune, si dhe rastin e fundit ku tre qytetarë janë vrarë në mënyrë mizore. “Ka qenë vit sfidues në disa tema. Ka qenë sfidues për krejt botën dhe sidomos për shtetin tonë. Ajo çfarë ka ndodhur me ujin e pijes në Deçan ka kohë që po e bëjmë një luftë tepër të madhe që me i marrë këto kompetenca dhe ta kemi kompetencë menaxhimin e ujit të pijes në Komunën e Deçanit, sepse po e dimë për çfarë po flasim. E dimë qysh keqmenaxhohet dhe e dimë sa të pazotë janë në menaxhim të ujit të pijes në një qytet ku ka resurse tepër të mëdha ujore. Unë shpresoj që organet përgjegjëse qoftë të hetuesisë, prokuroria, gjykata do ta çojnë deri në fund temën e helmimit të ujit të pijes. Nuk ka qenë vit i lehtë sidomos edhe me rastet e vështira që i kemi pasur sepse një pjesë të njerëzve në këtë qytet i ka marrë pandemia dhe deri tek rasti i fundit ku e patëm vrasjen e trefishtë. Unë uroj që hetuesia, prokuroria, të mos lenë alternativë pa e studiuar që t’i japin epilog përfundimtar kësaj ngjarjeje”, ka thënë ai për “Kosovapress”.

Më tutje, kryetari i Deçanit shprehet optimist që gjatë këtij viti do të përfundojë asfaltimi i rrugës Deçan-Plavë, pavarësisht përplasjeve që janë zhvilluar me përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit gjatë vitit të kaluar kur edhe u ndaluan punimet. Për një gjë të tillë, Ramosaj ka thënë se pret edhe mbështetjen e nivelit qendror, në të kundërtën thotë se nuk i bëhet nder vendit.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dymbëdhjetë anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë dhe 353…