Raporti i OKB-së nuk përputhet me gjetjet izraelite për Iranin

01 maj 23:08

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikqyrjen bërthamore solli në vemendje të martën një raport të vitit 2015 të hartuar nga drejtorja e saj, ku thuhej se nuk ekzistonin “tregues të besueshëm” për ndonjë veprimtari të Iranit që të ketë lidhje me zhvillimin e armëve bërthamore pas vitit 2009.

Raporti i paraqitur nga shefja e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore Yukiya Amano, i jepte fund hetimit që zgjati mbi një dekadë rreth akuzave se Irani kishte punuar për zhvillimin e armëve bërthamore, të cilat Teherani vazhdimisht i ka mohuar.

Mbyllja e hetimit ishte pjesë e marrëveshjes që Irani arriti me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, raporton “VoA”.

Amano arrinte në përfundimin se Irani kishte kryer aktivitete për krijimin e një “pajisjeje shpërthyese bërthamore”, kryesisht para vitit 2003. Por këto aktivitete nuk dilnin nga suaza e kërkimeve shkencore.

Deklarata e Agjencisë vjen një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paraqiti materiale që ai thotë se tregojnë që Irani ka fshehur punën për armët bërthamore.

Shtëpia e Bardhë e vlerësoi informacionin duke e quajtur “të ri dhe bindës”, ndonëse zyrtarët në Uashington nuk e kanë akuzuar Teheranin për shkelje të hapur të marrëveshjes së vitit 2015 me fuqitë botërore.

Zyrtarët amerikanë që po analizojnë dokumentet, tabelat, skemat, fotografitë dhe videot e zbuluara nga inteligjenca izraelite, thanë të hënën vonë se materialet ishin autentike dhe në përputhje me informacionin e grumbulluar nga SHBA gjatë shumë viteve.

“Ky informacion sjell hollësi të reja dhe mjaft me interes mbi përpjekjet e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore që mund të hidhen me pajisje raketore”, tha në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Akuzat u ngritën fillimisht nga zoti Netanjahu gjatë një konference televizive të hënën. Ai tha se dokumentet dhe dosjet e tjera të shumta të zbuluara tregojnë se Irani ka gënjyer në mënyrë flagrante për programin e tij të armëve bërthamore.

Përgjigja fillestare ndaj pretendimeve të Netanjahut ishte e vakët. Disa ekspertë të zbulimit dhe diplomatë thanë se shumë nga provat që udhëheqësi izraelitë paraqiti gjatë konferencës datonin para se Irani të nënshkruante marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatori amerikan John McCain, i cili vazhdon betejën me kancerin…