Raportohet se Haxhiu ka shkarkuar edhe Suzan Novobërdaliun, konsulle e përgjithshme e Kosovës në Stamboll
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim për shkarkimin e konsulles së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll, Suzan Novobërdaliu.
Sipas burimeve brenda presidencës, “Nacionale” ka raportuar se vendimi për lirimin nga detyra të Novobërdaliut është marrë menjëherë pas marrjes së kompetencave nga Haxhiu, në kuadër të ndryshimeve të fundit në shërbimin diplomatik. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me perceptimin se Novobërdaliu ka qenë e afërt me ish-presidenten Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj.
Vetë Haxhiu, në një deklarim publik, ka konfirmuar se janë bërë disa lirime nga detyra në shërbimin e jashtëm, por pa hyrë në detaje për rastet individuale. Ajo ka theksuar se këto vendime janë në funksion të rregullimit të procedurave dhe nevojave të shtetit, duke i cilësuar si pjesë të rotacionit normal diplomatik.
Para pak ditësh, nga detyra është shkarkuar edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari.
Pas këtij vendimi, Miftari ka reaguar në rrjetet e tij sociale, duke bërëme dije se dekretin për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë, e mori këto ditë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Megjithatë, ai ka thënë se ky dekret shënon përfundimin e mandatit të tij në Vatikan, por edhe jo angazhimin e tij për Republikën.
“Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan. Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”, ka shkruar ai.
Pos tjerash, ai falënderoi ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin e dhënë.
“Falënderoj presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim. Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”.
“Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka shkruar Miftari.



