Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan: KOMF-i dhe UNICEF-i kërkojnë hetim institucional dhe forcimin e sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve

18 mars 2026 | 14:10

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5-vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është sjellë në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim të mëtejmë
Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të mundshëm, janë njoftuar Policia dhe punëtorët socialë, në përputhje me procedurat ligjore.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka theksuar se sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh. “Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagimin e KOMF-it, duke theksuar se ky rast ri konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale. “KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur. Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë”, është thënë në këtë reagim.

KOMF-i u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë. Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive. “Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, theksohet në reagimin e KOMF-it.

Edhe UNICEF-i në Kosovë përmes një reagimi ka theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë, sidomos brenda shtëpisë së tij, e cila duhet të jetë një vend sigurie, kujdesi dhe mbrojtjeje. “Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe ka pasoja afatgjata fizike he psikologjike. Ky rast pasqyron një shkelje serioze të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF), e cila garanton mbrojtjen e çdo fëmije nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca (Neni 19), si dhe të drejtën për mbijetesë, zhvillim dhe dinjitet. KDF është direkt e zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut prioritet mbi ligjet vendore. Kjo vendos një detyrim të qartë ligjor mbi të gjitha institucionet për të parandaluar, identifikuar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive rasteve të dhunës dhe neglizhencës ndaj fëmijëve. Ky rast tregon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, si dhe për të ofruar mbështetje të shpejtë familjeve të cenueshme për të parandaluar dhunën. Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve”, është theksuar në reagimin e UNICEF-it.

5-vjeçarit i janë operuar shputat, gjendja e tij është stabile

Klinika e Pediatrisë ka njoftuar të mërkurën se pacienti 5 vjeç, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.

“Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ky është informacioni që aktualisht mund të ofrohet. Për çdo përditësim të mëtejmë lidhur me gjendjen e pacientit, mediat dhe publiku do të njoftohen në vijim vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së. Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”, ka njoftuar Klinika e Pediatrisë.

Një ditë më parë, fëmija u vizitua edhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për të parë nga afër gjendjen shëndetësore. Po ashtu në koordinim me ministrin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit pritet që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje ligjore dhe sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë…