Rasti i liderëve të UÇK-së, pranohen edhe tri viktima të tjera për të marrë pjesë në proces gjyqësor

13 mars 2023 | 10:55

Gjykata Speciale ka njoftuar se trupi gjykues II ka nxjerr vendimin e gjashtë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ku tre parashtrues të tjerë kërkesash janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor.

Këta të tre persona është thënë se do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 137 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në vendimin më të fundit u refuzuan shtatë kërkesa. Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, është thënë në njoftim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania më e madhe turistike në vend “Sharr Travel” nga…