‘Rasti i vëllezërve Bytyçi duhet t’i përcaktojë marrëdhëniet ShBA-Serbi’

18 korrik 2019 | 14:52

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka miratuar një rezolutë, me të cilën i bëhet thirrje Serbisë që të sjellë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova.

Në rezolutë po ashtu është thënë se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti “do të duhej të ishte faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ShBA-Serbi”.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve midis ShBA-së dhe Serbisë”, është thënë në dokument.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyçi janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyçi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

“Është e papranueshme që asnjë person nuk është gjetur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi apo ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre dhe që askush nuk përballet me akuza për këtë krim”, është thënë në rezolutën amerikane.

“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë, duhet ta vënë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për këto vdekje”, është thënë po ashtu në këtë rezolutë.

Duke shpjeguar arsyet përse vëmendja duhet përqendruar në këtë rast, teksti i rezolutës përmend zyrtarë të Republikës Federale të Jugosllavisë, që nga koha e luftës në Kosovë, të cilët ose janë dënuar për krime lufte përpara Tribunalit të Hagës, ose kanë vdekur.

Në rezolutë po ashtu thuhet se Goran Radosavleviq-Guri, ish-komandant i xhandarmërisë serbe, punon si këshilltar për një kompani në Beograd dhe se është “anëtar i shquar” i partisë në pushtet [Partisë Përparimtare Serbe].

Rezoluta e njëjtë është miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme edhe një vit më parë, por duhej të kthehej pasi sesioni i ri i Kongresit ka nisur në fillim të vitit 2019.

Edhe kryetari i këtij komiteti, Eliot Engel, iu ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që sa më parë të zgjidhin rastin e vëllezërve Bytyçi.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, më 4 korrik, Engeli ka thënë se e inkurajon presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sepse “vetëm ai mund të bëjë ndonjë lëvizje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas përfundimit të grand slamit të Wimbledon nuk ka pasur…