Reagim kundër shpifjeve dhe kritikave të pabaza të bëra nga media dhe portale të caktuara në drejtim të komunës dhe kryetarit Bekim Jashari 

23 qershor 2021 | 16:24

Komuna e Skenderajt dje ka bërë publike listën e përfituesve të granteve në bujqësi për këto pajisje bujqësore: Pompa spërkatëse 400l, shpërndarëse plehu dhe grabuja diellore për traktor, çmimi i tregut i të cilave për copë varion nga 200- 500 euro, pra totali për 185 fermerë përfitues arrin vlerën rreth 50,000€, kurse vlera totale e granteve që kemi mbështetur e po mbështesim fermerët gjatë këtij mandati të kryetarit Jashari arrin vlerën mbi 1,000,000€, për 1500 fermerë përfitues.

Dje pas publikimit të listave të fundit të përfituesve të granteve në bujqësi, përtej realitetit, disa media e portale, për qëllime të tyre të caktuar kanë publikuar lajme me tituj tendencioz dhe shpifës.

Përmes këtij reagimi si komunë dënojmë ashpër shpifjet e adresuara në drejtim të institucionit tonë, gjegjësisht kryetarit, Bekim Jashari, përmes titujve tendencioz: “Bekim Jashari publikon emrat e fshatarëve që iu dha 37 grabuja e 77 tërfurka”, dhe titullit “Deri këtu shkon propaganda para zgjedhjeve: Bekim Jashari publikon emrat e fshatarëve që iu dha 37 grabuja e 77 tërfurka”,  tituj këta të pasqyruar edhe me fotografi që në asnjë mënyrë nuk përkojnë me të vërtetën.

Për informimin e saktë të opinionit publik, komuna që drejton Bekim Jashari nuk ka dhënë asnjë “tërfurk” dhe për me tepër grantet që janë publikuar dje në web faqen zyrtare të komunës sonë nuk kanë të bëjnë asgjë me mjetet e punës që mediat e caktuara kanë publikuar edhe përmes fotografive, me qëllim të shtrembërimit të së vërtetës, fyerjes dhe dëmtimit të imazhit të komunës sonë.

Sa i përket akuzave të mediave të caktuara kinse shpërndarja e këtyre granteve dhe  publikimi i emrave të përfituesve po bëhet vetëm për qëllime të përfitimeve politike dhe në kohë para zgjedhore, si komunë ua bëjmë më dije që komuna jonë që nga ardhja e kryetarit Bekim Jashari, i ka dhënë fokus të veçantë përkrahjes së fermerëve të komunës sonë, duke rritur buxhetin për bujqësi nga 48 mije euro sa ishte në vitin 2018 në rreth 500,000€ bashkë me donatorë, ku janë përkrahur me grante mbi 1000 fermerë e do të përkrahen gjatë këtij vitit edhe 500 tjerë. Kështu të gjitha grantet për fermerët tonë, si gjatë këtë viti ashtu edhe në 3 vitet e kaluara janë dhënë përmes thirrjeve publike për aplikim, përmes vlerësimit të komisionit dhe të gjithë emrat e përfituesve janë bërë publik ne web faqen e komunës sonë. Kjo me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies si vlera të demokracisë.

Për informimin e drejtë të mediave dhe opinionit publik komuna jonë publikon rregullisht thirrjet për aplikim për grante dhe listat e përfituesve për të gjitha grantet. https://kk.rks-gov.net/skenderaj/category/konkursey-njoftimet/.

Pavarësisht kritikave të pa baza e shpifjeve të bëra nga disa portale, angazhimi i kryetarit Jashari në përkrahje të bujqësisë si bazë e zhvillimit ekonomik lokal nuk do të ndalet.

Në fund si komunë duke besuar në standardet e gazetarisë së mirëfilltë kërkojmë nga mediat e caktuara që të përmirësojnë lajmin e publikuar dhe të kërkojnë falje publike, në të kundërtën do të shfrytëzojmë të drejtat tona ligjore kundër shpifjeve.

Të bashkangjitur keni fotografitë e granteve që dje kemi publikuar e të cilat do të shpërndahen shumë shpejtë tek fermerët përfitues.

Web

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Babai i Ritës nuk harron rrënjët dhe zanatin që familja…