Reagimi i shtypit ndërkombëtar
Pasi ishte çmallur me familjarët, mërgimtari takon edhe shokët me të cilët kishte evokuar kujtimet për një kohë që kishte munguar. Festa kishte kaluar si kurrë më mirë. Mirëpo, udbashët as atë natë nuk kishin fjetur, por ishin kujdesur që në mëngjesin në të gdhirë të Vitit të Ri ta “befasonin” dhe ta “uronin” Hysen Gegën. Aty nga ora tre e mëngjesit ishte rrethuar shtëpia e Qazim Gegës me një togë të madhe policësh të armatosur gjer në dhëmbë. Nga udhëheqësi i togës u kërkua që të dorëzohej Hysen Gega, duke e quajtur “armik të popullit”. Shtrohet pyetja, a thua, vallë, vërtet ishte Hysen Gega armik i popullit të vet? Si mund të ndodhte një gjë e tillë!? Armik i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar ishte polici që çirrej dhe kërkonte me çdo kusht për ta burgosur djalin shqiptar.
Në tmerrin e natës së ftohtë, policia hulumtoi çdo skutë të shtëpisë dhe në fund para tytave të pushkëve kishte vënë babanë dhe gruan e Hysenit. U treguan se ishin të rrethuar dhe se kishin ardhur për ta arrestuar Hysenin, në “emër të popullit”. Pas zhurmës e rrëmujës së krijuar, Hyseni zgjohet nga gjumi dhe, kur sheh babain dhe gruan para tytave të pushkëve, tmerrohet. “Në emër të popullit”, – i bërtiti polici, “Hysen Gega, je i arrestuar!” Pa u trembur aspak, Hysen Gega përgjigjet: Cilit popull??? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka mallkime e ankime populli, jo për mua. Ia lidhin duart dhe e fusin në kampanjollën e mavitë. Me dhunë e fusin në veturë, ndërsa dëgjohet zëri i fuqishëm i Hysen Gegës, i cili thërriste me sa fuqi që kishte: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli shqiptar, Poshtë titizmi, Poshtë shërbëtorët e okupatorit! Në anën tjetër të shtëpisë, britma e vëllait, Danushit që theu heshtjen e natës duke thirrur sa mundi: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli i bashkuar shqiptar. Policia nuk hezitoi për ta arrestuar edhe vëllanë e Hysenit.
Në këtë shkrim redaksia e revistës, nga mërgimi, i çonte urimet më të mira Hysen Gegës, duke i thënë: Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar, po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gega dhe ty, Danush, dhe atyre mijëra djemve të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe, që këtej po jua përcjellim edhe sihariqin, se populli po bëhet gati për t’ju marrë hakun. Po, po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe, përfundon redaksia e revistës.
Po ashtu, në këtë faqe, redaksia jep edhe një informacion të rëndësishëm për lëvizjen ilegale shqiptare: Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare, ku UDB-ja të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur egërsisht. Me një tërbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, pushteti jugosllav po orvatet të zhbëjë çdo filiz të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial nga ana e shovinistëve të Beogradit. Në vijim shpreh indinjatën e thellë, duke e njoftuar opinionin e gjerë se, përveç vëllezërve Hysen e Danush Gega, kohët e fundit, për veprimtari “armiqësore kundër popullit e shtetit”, që do të thotë për veprimtari patriotike, u arrestuan edhe këta persona: Hasan Ukëhaxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s’i dihet emrin etj.
Në një shkrim me titull “Më të fortë se kurdoherë”, bëhej fjalë për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve që ndodheshin në mërgim jashtë vendit. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare. Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.
Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili niste me këtë shprehje: Vëllezër të dashur!
Gjithçka te ky dhé, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet përreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohtë. Në qoftë se ndonjëherë edhe ndodh të na hetojnë praninë, atëherë praninë tonë e ndiejnë si praninë e një lecke të hedhur në rrugën e madhe”. Dhe, vërtet, a ka më trishtuese dhe më të dhimbshme sesa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë, por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikojë në rrjedhat e atij vendi. Kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e Ditës së Pavarësisë.
Pastaj, autori u tregon të pranishmëve se si historia na la me gisht në gojë dhe në bisht të popujve të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona deshëm dhe jetën në shtetin e përbashkët kombëtar; atë që të gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej vitesh. Por, në vend që të sendërtohej kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e mjerim. Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit. Me të drejtë, thotë autori i shkrimit, se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti: të na i presë rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat, që për vatan e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le”.
Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare, si në mërgatë po ashtu edhe në Kosovë.
Sfida shqiptare do të habiste jo vetëm bashkësinë jugosllave, por edhe atë ndërkombëtare, duke u bërë objekt i rëndësishëm i qarqeve diplomatike dhe i shtypit botëror. Shtypi ndërkombëtar pasqyron dy tendenca qartësisht të dallueshme, atë të vendeve perëndimore (Republika Federale Gjermane, Austria, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Suedia etj., dhe vendet e ish-Bllokut Komunist, të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik. Shtypi perëndimor (duke përjashtuar deri diku Francën) pavarësisht nga forca e shprehjes dhe nuancat ndërmjet tyre i trajtuan drejt kërkesat e demonstruesve shqiptarë dhe shkaqet e shpërthimit të tyre, në të kundërt, shtypi i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës: Kina, Vietnami, Koreja e Veriut etj., mbështetën Jugosllavinë dhe politikën e saj në Kosovë. Qëndrim projugosllav do të mbanin përgjithësisht edhe shtypi i vendeve të “paangazhuara”, në Afrikë, Amerikën Qendrore, Latine etj.
Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai “francez” dhe pothuajse e tërë bota demokratike e Perëndimit i trajtuan me një ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor), një gazetë franceze për numrin e të dënuarve shkruante: “Rreth 1.700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen”. Gazeta tjetër frënge, “Liberasion”, ndër të tjera, shkruan: “Më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit”.
Po përmendim edhe revistën suedeze “Tempus”, e cila veç të tjerash, shkruante: “Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300 veta janë goditur, edhe fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe. Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri vetëm pse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit”. Më 27 prill edhe gazeta gjermane “Frankfurtter Alemanje” shkruante: “Vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, nga 30-40 veta, dhe të plagosur deri në 1.000 veta”, ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “Këto masakra, ku janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mijëra të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.
Megjithëse Jugosllavia e kishte mbyllur kufirin për të hyrë e për të dalë të huajt në Kosovë, shtypi dhe gazetarët ndërkombëtarë ndiqnin vazhdimisht situatën dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Për fat të keq, e shumta e informatave që jepeshin nga shtypi ndërkombëtar bazoheshin në komunikatat zyrtare të agjencisë jugosllave – Tanjug. Këto komunikata shpërndaheshin mandej në tërë botën prej agjencive perëndimore, si U.P.I. (United Press International), “Reuters”, “Agence France Presse” etj. Megjithatë, e shumta e gazetave dhe e revistave amerikane, angleze, frënge, gjermane, belge, italiane e turke kanë botuar rregullisht informata dhe artikuj mbi ngjarjet e Kosovës. Si gazetat: “The New York Times”, “The Christian Science Monitor” e të tjera gazeta amerikane, “The Times”, “The Financial Times”, “The Daily Telegraph” të Londrës, “Le Figaro”, “Le Monde”, “Le France-Soir”, “LAurore”, të Parisit, “Le Soir”, e Brukselit, “Il Tempo”, në Romë, “Il Corriere dela Sera”, në Milano, “Frankfurte Allgemeine Zeitung”, në Gjermani, “Ege Telegraph”, në Izmir, “Cumhuriyet”, në Stamboll, e të tjera gazeta turke e italiane, i kanë vëzhguar ngjarjet e Kosovës. Revistat, sikurse “The Economist”, në Londër, “LExpress”, në Paris, “LEspresso”, në Romë, “Die Welt”, në Frankfurt e të tjera, kanë botuar artikuj të gjatë mbi ngjarjet e Kosovës. (Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)