Reagojnë nga kabineti: Vjosa Osmani ka kompetenca të plota si presidente

08 dhjetor 2020 | 22:10

Kabineti i u.d të presidentit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas hapjes së debatit në lidhje me kompetencat që ka Osmani duke qenë se është vetëm ushtrues detyre.

Këto debate janë ndezur edhe më shumë kur ish-kreu i Kushtetueses, Enver Hasani tha se Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën për dekoratat që ka dhënë për profesionistët shëndetësor, shkruan lajmi.net.

Debat të njëjtë pati edhe në rastin e shfuqizimit të dekreteve të ish-presidentit Thaçi e që kanë të bëjnë me emërimin e konsujve të përgjithshëm në misione diplomatike, shkruan lajmi.net.

E kabineti i Osmanit me anë të një reagimi për media ka thënë se Osmani s’e ka asnjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese. Sipas tyre, përderisa ajo ushtron detyrën e presidentes, ajo ushtron kompetencat e plota të kreut të shtetit.

Në lidhje me këtë çështje, ata kanë përmendur aktgjykimin e Kushtetueses.

Postimi i plotë:

U.d e Presidentes nuk ka anjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese. Përderisa ushtron detyrën e Presidentes, ajo njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi.

Lidhur me këtë ekzistojnë edhe aktgjykime të Gjykatës kushtetuese, konkretisht rastet KO 29/12 dhe KO 48/12. Një nga këto aktgjykime trajton propozimim e Kuvendit për kufizim të kompetencave të u.d. të Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese. Megjithatë, këto amendamente Kushtetuese, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Ndaj kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar. Pra nuk janë bërë asnjëherë pjesë e Kushtetutës.

Në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se amendamentet e propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Për këtë arsye këto propozim-amendamente nuk janë formalizuar asnjëherë.

Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe  kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit që nga momenti kur ka filluar ushtrimin e detyrës. Çdo interpretim tjetër, sipas të cilit u.d. Presidentja i ka të kufizuara kompetencat bazuar në propozim amandamente që kurrë nuk u votuan, nuk është interpretim i kushtetutës por thjeshtë qasje tendencioze politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se…