Reagon avokati i qytetarit me të cilin u konfrontua deputeti Zemaj
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik në sheshin e Prishtinës, raporton Periskopi.
Version të ngjarjes ka dhënë edhe avokati Liridon Kutllovci, që është prezantuar si mbrojtës i qytetarit me të cilin Zemaj u përfshi në incident fizik.
Sipas tij, qytetari i është drejtuar Zemajt me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”. Kutllovci ka thënë se ky reagim i klientit të tij ka ndodhur si pasojë e frustrimit qytetar për gjendjen politike e ekonomike në vend.
Kutllovci ka thënë se sulmi ka ndodhur nga Zemaj, pa provokim tjetër prej qytetarit.
“Në vend që deputeti të ruante qetësinë dhe etikën që i takon një përfaqësuesi të Kuvendit të Republikës, ai (Zemaj) është kthyer dhe i është drejtuar qytetarit me fjalët fyese: “Gënjen nëna dhe Gruaja juaj”. Ky fjalor i papranueshëm është përdorur në prani të bashkëshortes së qytetarit. Pas rreth 20 sekondash, deputeti Armend Zemaj e ka sulmuar fizikisht klientin tim me grusht, pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij. Klienti im ka reaguar në mënyrën më të moderuar të mundshme, pa ushtruar asnjë formë dhune dhe menjëherë ka thirrur policinë, duke demonstruar vetëpërmbajtje dhe respekt për rendin ligjor”, ka shkruar ai në një komunikatë për media.
Kutllovci ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore “në mënyrë që ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”.
Kurse, nga ana tjetër deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke thënë se derisa ka qenë duke dhënë një intervistë, është provokuar verbalisht me fjalë të papranueshme.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vertetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë”, ka shkruar ai.
Zemaj ka thënë se s’do të duhej të binte pre e provokimit dhe ka kërkuar falje për incidentin që ka ndodhur.
“Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione.Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, ka shkruar ai.



