
Reagon kryetari i Vushtrrisë pas konfirmimit të pesë rasteve të reja me Covid-19
Sonte janë konfirmuar pesë raste të reja me Covid-19 në Vushtrri nga 10 testet e kryera.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, pas rezultateve të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka thënë se po ashtu 16 punëtorë shëndetësorë që kishin trajtuar pacientin e djeshëm janë në vetizolim dhe pritet testimi i tyre nesër.
Ai ka thënë se të gjitha kontaktet e njohura deri më tani me vendim të inspektorit sanitar të komunës në bashkëpunim me IKSHPK-në janë urdhëruar në vetizolim dhe po përcillen nga Policia e Kosovës.
“Ju lutemi të jemi të kujdesshëm, të mbajmë distancën e të zbatojmë masat e rekomanduara sepse siç dëshmojnë rastet e fundit në Vushtrri, virusi mund të vije nga burime që nuk i pret fare”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Reagimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë
Sot janë konfirmuar 5 raste të reja me Covid-19 në Vushtrri nga 10 testet e kryera. Të gjitha janë brenda të njëjtës familje, pra janë raste kontakti.
Po ashtu 16 punëtor shëndetësor që kishin trajtuar pacientin e djeshëm janë në vet izolim dhe pritet testimi i tyre nesër.
Të gjitha kontaktet e njohura deri më tani me vendim të inspektorit sanitar të Komunës në bashkëpunim me IKSHPK janë urdhëruar në vetizolim dhe po përcillen nga Policia e Kosovës.
Për masa të tjera në këtë fazë nuk ka nevojë sepse situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme nga Shtabi Emergjent Komunal.
Ju lutemi të jemi të kujdesshëm, të mbajmë distancën e të zbatojmë masat e rekomanduara sepse siç dëshmojnë rastet e fundit në Vushtrri, virusi mund të vije nga burime që nuk i pret fare.
(M.Q / Epoka e re)