Reagon Shoqata e Bankave të Kosovës: Siguria për bizneset në veçanti për sektorin bankar është alarmues

20 nëntor 15:15

Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar pas grabitjes që ndodhi sot në një bankë në Rrugën “B” ku u përdor eksploziv dhe pati të shtëna armësh.

Në një reagim për media SHBK vlerëson se gjendja e sigurisë në vend për bizneset dhe në veçanti për sektorin bankar është alarmues dhe po përkeqësohet në vazhdimësi.

“Sot është sulmuar një nga bankat komerciale në Prishtinë përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe eksplozivit. Sektori bankar dënon këtë akt të ligë të kryer nga grupe kriminale të cilat nuk hezitojnë aspak që të përdorin mjete eksplozive dhe armë zjarri për të arritur qëllimet e tyre, qoftë edhe në lagjet dhe rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Kjo gjendje e sigurisë është e papranueshme, si për sektorin bankar ashtu edhe për komunitetin e bizneseve dhe për shoqërinë tonë.

Sulmi është kryer në rrugën “B” ku përveç dëmeve të shkaktuara ndaj bankës dhe bizneseve përreth janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri kundrejt zyrtarëve të sigurisë dhe në drejtim të objekteve përreth duke rrezikuar edhe banorët e zonës. Muajin e kaluar një sulm i ngjashëm është kryer kundër një banke tjetër komerciale në Ferizaj me përmasa të ngjashme të dëmeve si dhe me shkallë të lartë të rrezikut”, thuhet në reagim.

SHBK i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë që të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri kundër këtyre grupeve të cilat kanë shpeshtuar sulmet dhe kanë rritur intensitetin dëmeve dhe shkallën e rrezikut për jetën dhe pronën. Shoqëria jonë nuk duhet të toleroj që të humbet siguria në vend dhe të terrorizohen bizneset dhe qytetarët nga banda kriminale kudo në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…