
Reagon Sindikata e Punëtorëve të KRM “Pastrimi”: Përparim Rama nuk takoi përfaqësuesit legjitim të punëtorëve – s’kemi asnjë zgjidhje konkrete
Sindikata “Punëtori” e Ndërmarrjes Publike KRM “Pastrimi” ka reaguar ashpër pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, duke shprehur zhgënjim për mungesën e përgjigjeve konkrete dhe për mosgatishmërinë për të adresuar kërkesat e punëtorëve.
Në një komunikatë për media, Sindikata thekson se edhe pse ka mandat ligjor për të përfaqësuar interesat e punëtorëve dhe është organizatore e protestës së fundit, Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka refuzuar të takohet me ta. Sipas sindikatës, në vend të takimit me përfaqësuesit e tyre legjitimë, Kryetari Rama është takuar me një sindikatë tjetër, jolegjitime, duke tentuar të bëjë diversion nga problemi dhe të shmangë takimin e vërtetë me përfaqësuesit realë të punëtorëve.
Ndër temat kryesore të diskutuara me zyrtarët komunalë ishin:
1. Pagesat për shërbimet e kryera nga KRM Pastrimi – Sindikata kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë, duke theksuar se punëtorët kanë kryer shërbime për Komunën për më shumë se pesë muaj pa u kompensuar. Ata shprehen të diskriminuar përballë kompanive private që janë paguar më shumë për të njëjtat punë.
2. Siguria në punë dhe respektimi i dinjitetit të punëtorëve – U ngritën shqetësime për pasigurinë e punëtorëve për shkak të vonesave në paga dhe shkarkimeve të padrejta, që kanë rrezikuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.
3. Zbatimi i ligjit dhe transparenca financiare nga Komuna – Sindikata kërkon që Komuna të zbatojë rregulloret e miratuara nga Kuvendi Komunal dhe të sqarojë destinimin e fondeve të qytetarëve për shërbime që ende nuk janë paguar ndaj KRM Pastrimi.
4. Publikimi i kontratave dhe investimeve – Është kërkuar sqarim për vendimet e njëanshme të Komunës dhe mosnënshkrimin e kontratave të gatshme, si dhe për vonesën në dorëzimin e dy kamionëve që qëndrojnë në oborrin e Komunës.
5. Ndërprerja e qëllimshme e mbështetjes financiare dhe teknike – Sindikata akuzon institucionet për mosfurnizim me naftë dhe për moszgjidhjen e problemeve bazike që pengojnë punën normale të ndërmarrjes, ndërkohë që punëtorët përballen me presion të përditshëm.
Në fund të reagimit, Sindikata “Punëtori” thekson se nga ky takim nuk ka ardhur asnjë premtim apo zgjidhje konkrete për çështjet e ngritura dhe i bën thirrje Komunës që të ndalojë shmangien e përgjegjësisë dhe të ulët seriozisht përballë përfaqësuesve të ligjshëm të punëtorëve për të garantuar paga, mjete pune dhe dinjitet në vendin e punës.