Real – Liverpool, beteja për mbret të Evropës

26 maj 2018 | 10:41

Reali e kërkon trofeun e trembëdhjetë në Ligën e Kampionëve, kurse Liverpooli po synon të gjashtin. Herën e fundit “mbretërit” e fituan vitin e kaluar, kurse Liverpooli kishte triumfuar për herë të fundit në Stamboll në vitin 2005, në finalen ndaj Milanit.

Kampioni aktual Real Madrid dhe befasia më e madhe e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, Liverpool, e ndajnë sonte (e shtunë) “mejdanin” për më të mirin në garën më të rëndësishme në futboll. Kjo ndeshje zhvillohet në “Stadion NSK Olimpiyskiy” në Kiev të Ukrainës.

Trajneri i Realit, Zinedine Zidane, ka thënë se është e mahnitshme të luftosh për trofeun e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, kurse për të dyja skuadrat beson se e kanë merituar kualifikimin deri në finale. “Nuk e di nëse jemi të barabartë, por ai ekip ka arritur në finale. Kundërshtari e ka merituar të jetë në Kiev ashtu si ne. Puna ime është ta përgatis sa më mirë ndeshjen, si gjithmonë, duke studiuar edhe të metat e kundërshtarit. Të luftosh për të tretin trofe radhazi për Ligën e Kampionëve është një gjë e mahnitshme. Në fakt, e tillë ishte edhe për të fituar të parin dhe të dytin për mua si trajner. E vërteta është se këtë edicion kemi luajtur kundër tre kundërshtarëve të nivelit të lartë në Evropë dhe mbërritja në finale ka një vlerë të rëndësishme. Tani është një finale e vetme, për Liverpoolin dhe për ne”, ka thënë Zidane.

Ndërsa trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i cili po mahnitë të gjithë me atë që po tregon me skuadrën angleze, ka pranuar se Reali është favorit në sajë të përvojës, por beson se mund ta fitojë trofeun. “Do të përballemi me skuadrën që ka më shumë përvojë në Ligën e Kampionëve. Por, nga ana tjetër, është vetëm një ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë”, ka deklaruar Kloppi.

Të njëjtin mendim me trajnerin gjerman ka edhe ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah. “Të luash në finalen e Ligës së Kampionëve është një ëndërr që bëhet realitet dhe ta fitosh do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Real Madridi ka shumë përvojë, por është një ndeshje finale dhe e kaluara nuk ka të bëj. Luajmë 11 kundër 11. Te Liverpooli jemi të gjithë shokë dhe Kloppi është shok me të gjithë ne”, ka thënë Salah, i cili, në rast se triumfon në këtë finale, ka gjasa ta fitojë edhe “Topin e Artë”.

Redaksia online
(e.r./ epokaere.com)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Shakhtar Donetsk, Fred, ka thënë se të dy…