Reçaku i 15 janarit të 1999

15 janar 2020 | 17:30

Shkruan: Muharrem Nitaj

15 janari i vitit 1999, ishte si ky i sotmi, i vranët, me qiellin gri dhe ende pa borë!

Herët në mëngjes e morëm një lajm, se në një fshat të Shtimes, Reçak, (për të cilin pak kush nga ne kishte dëgjuar) kishte ndodhur një hata, se kishte shumë të vrarë e të sakatosur, dhe që vendi mbahej i rrethuar nga forcat serbe!

U tha se në vendin e ngjarjes do të shkonte edhe ambasadori William Walker, por dy prej nesh, pa pritur njeri, u nisëm turravrap drejt Reçakut!

E gjatë dukej rruga edhe pse kishte 20 e pak kilometra, sepse sikur e ndienim se tmerri me të cilin do të përballeshim atje, ishte korb i zi!

Sapo mbërritëm në udhëkryqin e fshatit, të parët qe takuam ishin 10-15 burra e një kallabllak fëmijë, që po prisnin për të parë se kush do të shkonte nga Prishtina atje, si dhe disa njerëz me tesha të zeza, që sikur mbanin rend e që ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Pa një pa dy, u mblodh përreth nesh, secili me rrëfimin e vet, dhe njëri prej burrave, si më i moshuar, na e hoqi udhën për te oborri i shtëpisë së parë në të majtë të rrugës, që ngjitej shpatit mbi Reçak!

Në oborr e para nesh ishte një grumbull me një çilim përmbi, dhe burri që e hoqi çilimin dhe që para syve tanë u shfaq një gjysmëtrupi njeriu, veç në shokë e poshtë, me copa ashti e mishi përreth. Na u tha se i kishin futur bombën në gojë dhe e ajo e kishte coptuar duke ia marrë gjysmën e trupit!

Kjo ishte pamja e parë në Reçak me 15 janar 1999, e cila do të përsëritej në forma të ndryshme deri në maje të kodrës.

Në atë lugun e malit, që i ngjasonte një përroske pa ujë, por me kufoma të renditura njëra pas tjetrës! Dhe maja e malit dhe një gropë e mbetur nga një furrë gëlqereje, e mbushur plot kufoma…edhe ata si të tjerët me poshtë, me kafka të llomitura, me gjymtyrë të thyera, e me trup e shpirt të sakatosur..!

Kjo ishte masakra e Reçakut!

Pas gjithë këtij tmerri, që na kishte mpirë e s’po nxirrnim zë, u mblodhëm përreth Ambasadorit William Walker! Ai do të bënte një deklaratë për opinion.

Ishte i shkurtër me sa mbaj mend. Tha se shihej qartë se të vrarët ishin fshatarë të paarmatosur. Dukeshin si bujq e punëtorë! “This is a crime against humanity”, tha ambasadori!

Ashtu u pa, ashtu u tha dhe ashtu lajmi mori dhenë! Unë drejtpërdrejt për BBC-në me zërin që me dridhej nga shpati i malit përmbi Reçak, me dhjetëra të masakruar pranë dhe me qindra snajperistë të Millosheviqit përreth që po na vështronin përmes nishanit të pushkës!

Image may contain: one or more people, people standing and outdoor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
16.01.2020 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Pejë 1.…