Recension / Arti gjuhësor dhe letrar në dy përmbledhjet me prozë të Brahim Avdylit

01 dhjetor 2023 | 14:44

Mr. sci. Selim KRASNIQI

Vështrim rreth librit me titull “Portrete atdhetarësh dhe arsimdashësish”, të autorit Mr. Muhamet Rogova Vargut t ë veprave të atdhetarit, intelektualit, veprimtarit, profesorit, ish të burgosurit politik, shkrimtarit Mr. Muhamet Rogova, sot po i shtohet edhe një vepër e re, e cila vjen si një margaritar i çmuar për lexuesit. Ky libër përmban shkrime autoriale të Mr. Muhamet Rogova, rreth zhvillimeve historike dhe ngjarjeve kombëtare në periudha të ndryshme, me personazhe historike, për të vazhduar me analiza të librave të autorëve të ndryshëm, përshkrime dhe kumtesa për data dhe përvjetorë të shënuar. Pra, në këtë vepër autori, Mr. Muhamet Rogova shpalos një epokë të ngjarjeve dhe zhvillimeve kombëtare, të cilën mund ta përjeton edhe lexuesi përmes shkrimeve në këtë libër, duke u furnizuar me shënime interesante, duke lexuar mbase për ngjarje dhe personazhe për të cilat ka pasur pak ose fare njohuri por edhe për të mësuar se si në një vepër letrare mund të gjesh larushi shkrimesh, të cilat të shtyjnë patjetër që t’i lexosh me shumë përkushtim deri në fund.

Duke marrë parasysh se autori Mr. Muhamet Rogova është një emër i shquar, një personalitet që ka vepruar dhe vepron edhe sot e kësaj dite në dobi të kombit, është gjithashtu edhe personazh në shumë ngjarje dhe veprimtari kombëtare, të cilat janë të pasqyruara në këtë vepër. Libri ka vlera të pakontestueshme historike dhe letrare, të dokumentuara me emra dhe data, kur edhe kanë ndodhur në realitet por edhe kur janë shkruar nga autorë të ndryshëm apo janë analizuar e komentuar nga vetë autori Mr. Muhamet Rogova. Është interesant se në këtë libër gjen edhe dhjetëra tituj të tjerë të autorëve të ndryshëm, të cilët janë zbërthyer në formë analitike dhe letrare dhe kronologjike përmes shkrimeve të autorit Mr. Muhamet Rogova, libra të cilët tanimë janë të identifikuar dhe të përzgjedhur për lexuesin.

Libri me titull “Portrete atdhetarësh dhe arsimdashësish” është zbërthyer në dy kapituj:
1. Portrete atdhetarësh dhe 2. Analiza dhe kumtesa Kapitulli i parë i librit fillon me shkrimin kushtuar librit “Adem Demaqi në gjykimin e parë” dhe librit në dy vëllime të autorit Selatin Novosella, me titull “Lëvizja Revolucionare për bashkimin e shqiptarëve” për të vazhduar më tej me shkrimin kushtuar veprimtarit, profesorit, ish të burgosurit politik, Kadri Kusari. Autori i këtij libri Mr. Muhamet Rogova flet për aktivitetin e tij kombëtar, sakrificën, vuajtjet dhe krenarinë, duke përmendur edhe emra e figura të rëndësishme me të cilët ka bashkëpunuar për realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe bashkimin kombëtar.

Ky grup i përbërë nga profesorë e intelektualë të kohës ishte themeluar në Gjakovë pasi ishte krijuar organizata “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e kryesuar nga tribuni Adem Demaçi, hero i kombit Adem Demaqi, i cili ishte dhe mbeti simbol i veprimtarisë dhe sakrificës kombëtare. Mr. Muhamet Rogova është përkujdesur që ngjarjet historike t’i paraqet në formë letrare e artistike, në mënyrë që lexuesit t’i ofrojë mundësinë për t’i mbajtur sa më gjatë në mendje, rrjedhat dramatike nëpër të cilat kaluam si popull. Gjithashtu në kapitullin e parë me shumë përkushtim shkruan edhe për figurat kombëtare si Xhavit Hoxha, Ibish Neziri, Avdi Kelemndi, Zenun Gjocaj, Zenel Sadiku e të tjerë. Figurën e Kadri Kusarit e paraqet si një intelektual të rrallë, të ditur, trim dhe guximtar, i cili kishte vepruar ngushtë bashkë me intelektualë e atdhetarë të tjerë si Avni Lama, Hyda Dobruna, Murteza Nura, Teki Dervishi, Nuredin Spahija, Gani Zhaveli, Sefedin Fetiu, Shefki Oseku, Ismet Llapaqi, Esat Cërmjani, Fadil Rogova, Besim Peni dhe shumë qytetarë të tjerë. Autori i librit figurat kombëtare i përshkruan aq bukur dhe me mjeshtri, sa që lexuesi e krijon përshtypjen sikur i ka njohur personazhet dhe i ka përcjellë aktivitetet e tyre për së afërmi. Sigurisht se nuk mund ta shkruante ndryshe përveç se në mënyrë reale, duke u përkujdesur për çdo detaj, pasi edhe vet autori i këtij libri bashkë me veprimtarë dhe intelektualët tjerë, u dënuan nga ish Jugosllavia dhe vuajtën për vite të tëra burgun e rëndë, por asnjëherë të gjunjëzuar.

Shteti jugosllav, si krijesë artificiale e asaj kohe ua ka pasur frikën intelektualëve shqiptarë, ndaj gjithmonë është përkujdesur që ta pengojë veprimtarinë e tyre duke i gjykuar pa fakte dhe duke i dënuar padrejtësisht. Ata janë trembur nga intelektualët edhe kur kanë vdekur, ndaj shteti jugosllav u përkujdes përmes shërbyesve dhe spiunëve të vet që pas vdekjes dhe varrimit të Kadri Kusarit, të dënojë me vite të gjata burgu shumë atdhetarë e intelektualë që morën pjesë në varrimin e tij. Me këtë rast vetëm nga familja Dobruna janë burgosën tre vëllezërit, Hyda, Skender dhe Sokol Dobruna, Agim Jaka, Ruzhdi Sefa, Avdurrahman Koshi e shumë të tjerë. Siç e nënvizon autori i këtij libri, ishte rasti i dytë i burgosjeve pas ceremonive që kishin ndodhur në Gjakovë, ky pas varrimit të Kadri Kusarit, ndërsa në vitin 1969 në dasmën kur martohej Hyda Dobruna, duke e burgosur edhe dhëndrin e që mbahet në mend si “Dasma e Dobrunës. Në këtë botim autori është përkujdesur që t’i përmbledhë shkrimet e tij dedikuar festave kombëtare, veprimtarisë së grupit të parë ilegal në Gjakovë, plisit si element i identitetit tonë kombëtar, për migrimin si plagë e rëndë për popullin shqiptar, himnin e flamurit, thirrje për sakrificë, emigrantët politik shqiptarë në vorbullën e kohës, figurën e Skënderbeut në letërsi e art, rruga e formimit të gjuhës standarde shqipe, trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar, partitë politike dhe aktivitete të tjera, përshkrim i mbajtjes së simpoziumit kushtuar helmimeve masive të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Kosovë prej organeve qeveritare serbe, si dhe dramën autoriale historike, “Atdhetarët e Rahovecit”.

Duke marrë parasysh se autori i këtij libri Mr. Muhamet Rogova, ka organizuar promovime librash të autorëve të ndryshëm, ka qenë redaktor e recensent i qindra librave, kësaj radhe ka përzgjedhur disa nga autorët dhe titujt e librave të tyre, duke i prezantuar përmes shkrimeve letrare, duke ua lehtësuar lexuesve përzgjedhjen e autorëve dhe leximin e veprave të tyre. Mr. Muhamet Rogova është si një shkëmb i pathyeshëm, i cili nuk i dorëzohet asnjë furtune, prandaj është shumë aktiv në aktivitetet kulturore e letrare, në debate e promovime, por gjithsesi shumë produktiv me botime të reja autoriale. Është një shembull që duhet ndjekur dhe model që jeton dhe vepron vertikalisht, si atdhetar, intelektual, veprimtar, shkrimtar dhe njeri modest e madhështor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katari njoftoi se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin…