Reçica: Kemi punuar mjaft në rritjen e sigurisë në vendin e punës

20 shtator 2018 | 20:39

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kjo ministri po punon në rritjen e sigurisë në vendin e punës, ndonëse thotë se situata nuk është ashtu siç ai do të dëshironte.

“Ju them shumë me përgjegjësi se nga dita e parë kur e kam marrë mandatin e deri në këtë moment kam analizuar me përkushtim shumë të lartë që jam marrë me këtë dukuri – me sigurinë dhe shëndetin e punonjësit në vendin e punës”, ka thënë ai në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Me ju thënë të drejtën, situata nuk është në nivelin ku unë do të dëshiroja”.

Megjithatë, ai ka thënë se kjo ministri ka punuar në marrjen e masave të sigurisë në punë, duke përmendur edhe rregulloret që i kanë nxjerrë.

“Ne kemi punuar mjaft, po të shikohet nga 2017-2018, si ministri kemi marrë një varg masash që kanë të bëjnë me ngritjen e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës të punonjësve”.

“Gjjitha rregulloret që i kemi marrë, përmes mekanizmave në këtë rast Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht të inspektoratit të punës, jemi duke monitoruar në terren zbatimin e tyre në praktikë”.

“Shkalla e zbatimit të tyre është në ngritje çdo ditë”.

Për më tepër, ministri përmendi krijimin e një kampanje për sensibilizimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve, ndërkaq pohoi se në vizitat që i ka bërë nëpër punishte, ka hasur në mirëkuptim nga ana e punëdhënësve për gatishmërinë e tyre në zbatimin e atyre rregullave.

“E mira më e madhe materiale për një familje është nëse familjari i tyre del në mëngjes për të shkuar në punë dhe kthehet shëndosh e mirë në mbrëmje”.

“Po përpiqemi që të krijojmë mekanizma dhe të ngritim sigurinë në vendin e punës”, tha ai, duke njoftuar se vitin e ardhshëm pritet që numri i inspektorëve të rritet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jeta në Korenë e Veriut po ndryshon nga viti në…