
Reçica kërkon angazhimin e Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, njëkohësisht anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, së bashku me kolegë të tjerë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Aty, Reçica me bashkëpunëtorë kanë takuar deputetët shqiptarë, me ç’rast kanë diskutuar për proceset integruese ndërmjet dy vendeve si dhe forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare.
“Kërkuam angazhim më të fuqishëm të Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk na njohin. Kërkuam mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Diskutuam për agjendën Evropiane të Kosovës, për hapat e nevojshëm që Kosova duhet ndjekë për anëtarsim në NATO, si dhe për koordinim dhe krijim të një trupe të përbashkët ndërmjet dy parlamenteve.”, ka thënë Reçica.
Në vazhdën e këtyre takimeve, Reçica ka njoftuar se kanë diskutuar edhe me zëvendëskryetaren e Kuvendit të Shqipërisë znj. Ermonela Felaj, me znj. Jonida Tabaku, Kryetare e Komisionit për Integrim Evropian dhe me anëtarët e këtij komisioni, si dhe me znj. Mimi Kodheli kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe me anëtarët tjerë të komisionit.
“Parlamenti i Shqipërisë është mbështetës i fuqishëm i Kosovës!”, ka përfunduar Reçica.