Reflektimi i një revolte lirike
Sadik Krasniqi
Naim Fetaj, Më lanë edhe pa këngë, Sh. B. Beqir Musliu, Gjilan, 2019
Në këtë aktualitet të vërshimit gjithnjë e më tepër të antivlerave kudo dhe gjithfarësh, ndihesh i gëzuar të hasësh në ndonjë vlerë të mirëfilltë artistike. Fatbardhësisht, në këto rrethana Naim Fetaj na vjen me librin e tij të ri Më lanë edhe pa këngë, libër ky me poezi që duhet lexuar me vëmendje dhe endje të veçantë. Libri i ri i Fetajt është një qasje etike përmes estetikës poetike ndaj realitetit të deformuar, devalvuar rëndë dhe tragjikisht nga ata (oligarkia politike)që zhveshën njeriun e këtij ambienti e të kësaj kohe nga çdo gjë, madje edhe nga vetë ajo që është ndër më sublimet siç është kënga. Megjithatë kënga e poetit, që është poezia, shkruhet guximshëm. I gjithë libri i këtij poeti është një mllef i revoltuar. Këtë revoltë poeti e manifeston bindshëm edhe përmes poezisë Epitaf për një kohë:
Më buzëqeshin ftohtë e më duan meit
Për birë të kavallit i shtinë dhe lumenjtë
Valle përmbi varre çdo ditë e çdo natë
As njerëz as hije as t’ gjallë as lugat
Ah kjo stina e tyre
Shekulli i gjatë
Naim Fetaj përmes librit të ri është në njëfarë mënyre një Llengston Hjus, i cili me anë të poezisë lufton dukuritë e zeza të kohës. Hjuz porosiste poetin e kohës: “Këndoji këngët tua të errëta, frushkulluese”. Këtë e bën bukur edhe Naim Fetaj me një intuitë, përvojë, njohuri dhe ndjeshmëri të lartë artistike. Edhe pse lënda strukturohet përmes tre cikleve: Kohë korbash troket, Mbi dënesjen tonë si dhe Dhimbja pikon veç nga zemra, librin e karakterizon një unitet motivor, tematik e poetik. Ky unitet tematik shfaqet përmes variacioneve dhe ngjyrimeve të cilat i shquan një përjetim emocional shumë i thellë i autorit.
Në librin Më lanë pa këngë shpesh vërehen mbindërtime strukturore dhe figurative nga sentencat proverbiale të oralitetit popullor, natyrisht gjithherë me një mëvetësi e mjeshtëri autoriale që të mahnit. Andaj në poezitë e këtij libri gjejmë ngjarje, situata, fjalë dhe sentenca metaforike unike që e bëjnë këtë libër të veçantë.
I tërë libri është ndërtuar në formë elipsive, me dendësi premisash semantike të shoqëruara me semiotikë të pasur. Në këto poezi shpesh gjejmë demonizim, mallkime deri në ironi pezhorative, ngaqë të tilla cilësi kanë shkaktarët e këtyre situatave dhe ngjarjeve që bëhen motive në këtë libër. Në këtë libër hasim edhe emotivitet, nostalgji, ndjeshmëri, dhimbje dhe pikëllim të autorit, sidomos në ciklin e fundit që është cikël përkushtimor ndaj të afërmve, miqve, martirëve e luftëtarëve të lirisë së Kosovës, shumicën e të cilëve i kishte njohur personalisht autori. Gjuha poetike në poezinë e këtij libri është e pasur, e ndërtuar përmes rimave dhe një ritmi të bukuri tingëllor saqë disa poezi të duken si këngë.



