Reflektimi i zhvillimeve ndërkombëtare në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës

16 shtator 12:09

Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari

ANALIZË (1)

Abstrakti

Konteksti politik ndërkombëtar nga koha e përfundimit të Luftës së Kosovës (qershor 1999) ka ndryshuar. Presidenti i ShBA-së ka lansuar platformën “Amerika së pari” (America first), Republika Popullore e Kinës zë vendin e dytë në botë për nga fuqia ekonomike, Federata Ruse është rikthyer me agresivitetin e saj në politikën ndërkombëtare, kurse BE-ja po ndeshet me procesin e iliberalizmit në Hungari, Poloni dhe Rumani, me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja (Brexitin) dhe trendin në rritje të së djathtës ekstreme.

Këto zhvillime ndërkombëtare kanë pasur një reflektim të drejtpërdrejtë në procesin e realizimit të interesave nacionale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, gjë që e kanë vënë vendin tonë para një numri të madh sfidash, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008: bllokimi nga Federata Ruse dhe RP e Kinës për pranimin e Republikës së Kosovës në OKB, procesi i ngadalshëm i njohjes së Republikës së Kosovës, dështimi për pranim në UNESCO dhe Interpol, rruga sui generis e integrimit në BE dhe NATO, raportet e ndera bilaterale me Serbinë etj.

Në kontekst të zhvillimeve ndërkombëtare dhe statusit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të shtrohet pyetja themelore: çka është e realizueshme në politikën tonë të jashtme? Cilat qëllime dhe cilat interesa gjejnë mbështetje të qytetarëve dhe aktorëve ndërkombëtar? Në përgjigje të këtyre dy pyetjeve do të analizohen mundësitë, interesat, qëllimet dhe mjetet e politikës së jashtme të Kosovës: mundësia e pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, rrugët më efektive për shtimin e njohjes së Republikës së Kosovës, mundësitë e pranimit në BE, NATO, UNESCO, Interpol dhe organizata tjera në kontekstin aktual ndërkombëtar dhe raportet me Serbinë etj.

Teza themelore që do të mbrohet është se në kontekstin aktual ndërkombëtar subjektiviteti shtetëror i Kosovës nuk mund të rrezikohet, por do të vazhdojë të sfidohet. Politika e jashtme e Republikës së Kosovës duhet të tregohet e vëmendshme në ruajtjen e orientimit properëndimor, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve miqësore e të veçanta me ShBA, rritjen e angazhimeve në procesin e integrimit në BE dhe NATO, rritjen e prezencës diplomatike në të gjitha pjesët e globit dhe investime më të mëdha kadrovike, financiare dhe diplomatike në procesin e njohjes së Republikës së Kosovës. Dialogu me Serbinë mund të vazhdojë vetëm mbi parimin e barazisë dhe në respekt të principit të reciprocitetit.

Me qëllim të analizimit dhe vlerësimit të kontekstit ndërkombëtar, në të cilin është duke u sfiduar statusi i Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të ndiqet metoda analitike, duke shqyrtuar pozitën gjeografike, interesin kombëtar, mjetet dhe qëllimet e politikës së jashtme të Kosovës.

  1. Konteksti ndërkombëtar dhe reflektimi i tij në politikën e jashtme të Kosovës

Konteksti politik ndërkombëtar nga koha e përfundimit të Luftës së Kosovës (qershor 1999) ka ndryshuar. Presidenti i ShBA ka lansuar platformën “Amerika së pari” (angl. America first), e cila paraqet një paradigmë izolacioniste dhe antiintervencioniste (Ikenberry 2017: 6). Me këtë vëmendja e politikës së jashtme të ShBA përqendrohet në interesin ekonomik dhe tregtar në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur parasysh një raport të zhdrejtë të bilancit tregtar me Republikën Popullore të Kinës (Paulson 2017: 11), ShBA kanë filluar një lloj “lufte të re të ftohtë“ me Kinën. Ky riorientim programatik i politikës së ShBA ka bërë që Kosova nuk është më në vëmendjen e politikës së jashtme të ShBA.

Në vitin 2010 Republika Popullore e Kinës arriti të zë vendin e dytë në botë për nga fuqia ekonomike. Nëse trendi i tillë i rritjes ekonomike vazhdon supozohet se, deri në vitin 2030, Republika Popullore e Kinës do të tejkalojë ShBA dhe do të zë vendin e parë si ekonomia më e madhe botërore dhe tregtare (Shirk 2017: 20). Projekti kinez “Një rrip, një rrugë” (engl. One belt, one road), përmes të cilit synohet krijimi i rrjetit ndërkontinental infrastrukturor dhe tregtar në mes të Kinës dhe rreth 60 vendeve tjera të Evropës, Azisë dhe Afrikës, dëshmon për një investim strategjik të Kinës në nivel global, i cili do ta forcojë ndjeshëm pozitën e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare (Worldbank 2018). Në kuadrin e projekteve të saj infrastrukturore, Republika Popullore e Kinës e ka përfshirë edhe Evropën Juglindore. Por, Kosova nuk hyn në zonën e saj të interesimit. Qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës është një sfidë serioze për politikën e jashtme të Kosovës, pasi që RP e Kinës e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas bankrotimit financiar të gushtit të vitit 1998 dhe dorëheqjes së Boris Jelcinit më 31. Dhjetor 1999, në krye të Federatës Ruse erdhi Vladimir Putin. Ai arriti në masë të konsiderueshme të rikthej fuqinë e Rusisë në rrafshin global (Oliker 2018: 52). Lufta pushtuese kundër Çeçenisë, lufta kundër Gjeorgjisë (në mbështetje të Abhazisë dhe Osetisë Jugore), pushtimi i Krimesë në vitin 2014, lufta kundër Ukrainës në Lindje të Ukrainës dhe konflikti në Transnistri dëshmojnë për një agresivitet në rritje të Federatës Ruse në raport me vendet fqinje. Por, ajo ka demonstruar influencën e saj globale edhe në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në konfliktin në Siri dhe me prezencën e saj në Serbi. Duke qenë se e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB, qëndrimi i Federatës Ruse kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës ka një reflektim serioz negativ në pozitën e Republikës së Kosovës në Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Fillimi i shekullit të 21-të është karakterizuar me lindjen e njërit nga variantet më të egra të fundamentalizmit islamik, i cili paraqitet në një formë të veçantë dhe shumë agresive të luftimit të demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë (Cohen 2015: 52). Al Kaida dhe ISIS janë dy organizata terroriste islamike, që simbolizojnë jo vetëm format brutale të veprimit, por edhe synimin për të imponuar në gjithë botën sistemin e sharias, si mënyrë për të vendosur religjionin e profetit Muhamet në botë. Fakti se rreth 300 vetë nga Kosova kanë marrë pjesë në krah të ISIS në Irak dhe Siri (Shabani 2019), e vë Republikën e Kosovës në pozitë të pavolitshme.

Zhvillimet në BE kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme të Kosovës. Iliberalizmi si mendësi dhe linjë ideologjike (Zakaria 1997: 22), e transmetuar në opinionin publik nga kryeministri i Hungarisë Viktor Orban (Orban 2014), dhe i realizuar nga ai dhe disa kolegë të tij në Poloni, Rumani, Austri, Francë dhe Itali, dëshmojnë se një linjë radikale antiliberale po e pushton gradualisht ambientin politik dhe shoqëror në vendet e BE. Karakteri i saj ekstremist dhe radikal e vë politikën tonë të jashtme detyrueshëm në konfrontim me të. Rritja e ekstremizmit të djathtë në BE do të ketë pasoja të pariparueshme për procesin e integrimit të vendeve të Evropës Juglindore. Fakti që partia e Vuçiqit ka një afërsi me partitë e ekstremit të djathtë dhe të gjitha ato me Vladimir Putinin në Rusi, e bënë situatën mjaft të komplikuar edhe për politikën tonë të jashtme. Hapërimi me kujdes dhe vendosmëri në këtë ambient, që me gjasë do të kontaminohet edhe me tutje me ideologji kundër të huajve dhe iliberalizëm, do të jetë mjaft i vështirë.

Të gjitha këto zhvillime ndërkombëtare kanë një reflektim të drejtpërdrejtë në procesin e realizimit të interesave nacionale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, gjë që e kanë vënë vendin tonë para një numri të madh sfidash, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008: bllokimi nga Federata Ruse dhe Republika Popullore e Kinës e pranimit të Republikës së Kosovës në OKB, procesi i ngadalshëm i njohjes së Republikës së Kosovës, dështimi për pranim në UNESCO dhe Interpol, rruga sui generis e integrimit në BE dhe NATO, raportet e ndera bilaterale me Serbinë etj.

  1. Tri rrafshe analitike të politikës sonë të jashtme

Me qëllim të analizimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës do të përqendrohemi në tri rrafshe analitike të sjelljes: a) rrafshi ndërkombëtar, përmes të cilit do të vëmë theksin te ndërveprimi i politikës sonë të jashtme në marrëdhëniet ndërkombëtare, b) rrafshi vendor, përmes të cilit do të analizojmë ndërveprimin e aktorëve brenda shtetit dhe shoqërisë së Kosovës dhe c) rrafshi individual, përmes të cilit do të analizojmë disa nga karakteristikat individuale, perceptimet dhe botëkuptimet e aktorëve të veçantë vendimmarrës (Harnisch 2012: 3).

2.1. Rrafshi ndërkombëtar

Në qoftë se e analizojmë politikën e jashtme të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, shohim se struktura e sistemit ndërkombëtar ka pasur një influencë të ndjeshme në zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë në tridhjetë vitet e fundit. Po ashtu, raportet në mes të pesë fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe trendi në rritje i shkallës së institucionalizimit të Kombeve të Bashkuara, kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Kosovë. Ndërhyrja ushtarake në vitin 1999 është bërë pa konsensusin e pesë vendeve me të drejtë të vetos në KS të OKB, Rezoluta 1244 është një variant kompromisi për të legalizuar vendosjen e Misionit të UNMIK-ut dhe KFOR-it në Kosovë, kurse bllokimi i pranimit të Kosovës në OKB nga dy vende anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse) flet për vendosmërinë e këtyre dy vendeve për të ndalur rritën e shtetit të ri.

Sistemi anarkik ndërkombëtar, i cili është përshkruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Kenneth Waltz (Waltz 1979: 32-33), ka luajtur një rol socializues në politikën e jashtme të Kosovës. Strategji e interesit nacional është përcaktuar identifikimi me shtetet perëndimore, madje duke mos hezituar për të dalluar raportet me ShBA si “raporte të një miqësie të përhershme” (Ministria e Punëve të Jashtme 2013). Republika e Kosovës është orientuar drejt ShBA, BE dhe Perëndimit, me qëllim të sigurimit të ekzistencës si shtet. Në fakt ky rreshtim apriori properëndimor është në linjë të kundërt me pretendimin e shumë shteteve të tjera të pavarura për më shumë autonomi dhe reduktim maksimal të fuqisë ndikuese të shteteve tjera. Republika e Kosovës nuk ka hapësirë të mjaftueshme tjetër veprimi, pasi që nuk ka resurse të tilla si Izraeli ose nuk ka një zhvillim të tillë ekonomik dhe teknologjik si Singapori. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare ish-drejtuesi i formacioneve partizane…