
Refuzoi Belgjikën për Shqipërinë, Kevin Shkurti po jeton ëndrrën me fanellën kuqezi
Ai ka lindur në Belgjikë dhe ka hedhur hapat e para në fushat e futbollit në qytetin e Brukselit. Për Kevin Shkurtin ishte e thjeshtë të përfshihej në botën e futbollit që në moshë të vogël pasi kishte talentin dhe dëshirën për t’u bërë një futbollist profesionist.
Djaloshi me origjinë nga Shkodra, i cili sapo ka mbushur 18 vjeç dhe luan në rolin e mesfushorit, debutoi me fanellën kuqezi këtë vit duke u bërë pjesë e Kombëtares U-19, ku spikati menjëherë me paraqitjet e tij duke vendosur kandidaturën për një vend titullari.
Edhe pse kishte luajtur me ekipet kombëtare të moshave të Belgjikës më parë, Kevin nuk u mendua aspak kur mori ftesën nga FSHF dhe pranoi menjëherë.
Në intervistën e dhënë për Fshf.org, Shkurti tregon gjithçka për karrierën e tij të deritanishme, momentet më të bukura, idhujt e futbollit dhe për objektivat që ka në të ardhmen me klubin belg të Leuven.