Reja nuk e fiton Mavrajn, risi Çekiçi dhe Broja

03 tetor 2019 | 14:05

Edi Reja pritet të shpallë listën për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Turqisë dhe Moldavisë ditën e nesërme ose në fundjavë. “Panorama Sport”, në mënyrë ekskluzive, ka mësuar se trajneri ka lënë jashtë këtij grumbullimi kapitenin e Kombëtares, Mërgim Mavraj. Gjithashtu, italiani ka afruar në ekip edhe të rinj me formë të jashtëzakonshme, si Endri Çekiçi dhe Armand Broja.

Mërgim Mavraj është një ndër futbollistët që kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm me Kombëtaren shqiptare. Qendërmbrojtësi që ofronte cilësi, qetësi dhe lojë të mirë me topin nëpër këmbë, duket se nuk është më në planet e trajnerit të Kombëtares.

Qendërmbrojtësi është duke u aktivizuar vazhdimisht si titullar me skuadrën e Grojther Fyrtit, por “Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se deri më tani, teksa janë shpërndarë ftesat për të gjithë lojtarët, emri i kapitenit Mavraj nuk është përfshirë në listën e trajnerit.

Forma e mirë e kuqezinjve ka bërë që trajneri i Kombëtares të kthejë sytë te të rinjtë. Pak kohë më parë, në grumbullimin e fundit, Edi Reja foli edhe për të ardhmen dhe rinovimin e Kombëtares.

“Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se në listën zyrtare të Kombëtares për ndeshjen me Turqinë dhe Moldavinë trajneri Reja ka afruar si risi Endri Çekiçin dhe Armand Brojën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit