Reka: Kosova dhe Maqedonia ta aplikojnë sistemin e një sporteli kufitar

03 qershor 2018 | 14:37

Njohësi i proceseve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoni, profesor Blerim Reka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është për t’u përshëndetur mbajtja e mbledhjes së përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

Ai ka theksuar se kjo jep shpresë se politika e re e jashtme e Maqedonisë ndaj fqinjëve do të reflektojë edhe në shtimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën në të gjitha fushat.

“Bile, kjo duhej bërë shumë më herët.  Si fqinjë të parë dhe si dy kryeqytete më të afërta të Ballkanit, Shkupi dhe Prishtina ndajnë orientimin e njëjtë dhe të përbashkët strategjik euroatlantik. Për vetëm një vit, pra po realizohet ajo që nuk ishte realizuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Kjo jep shpresë se politika e re e jashtme e Republikës së Maqedonisë ndaj fqinjëve, do të reflektojë edhe në shtimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Tekefundit, edhe strategjia e re e zgjerimit e BE-së për Ballkanin Perëndimor kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe mbylljen e të gjitha kontesteve bilaterale. Fatmirësisht, Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, madje janë ndër të rrallat vende fqinje të Ballkanit që tash e një dekadë kanë mbyllur edhe demarkacionin e kufirit”, është shprehur Reka.

Ai shpreson se pas kësaj mbledhje qeveritë do të ndërmarrin hapa praktikë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe për ta bërë atë formal ashtu siç është midis shteteve anëtare të BE-së.

“Një nga hapat e parë pa dyshim do të ishte aplikimi i sistemit të një sporteli kufitar midis dy shteteve, duke i eliminuar kontrollet e dyfishta. Hapi tjetër do të ishte fillimi i punimeve nga ana e Maqedonisë të pjesës së autostradës Prishtinë – Shkup në segmentin Shkup –  Bllacë. Me këtë jo vetëm se do të shkurtohej koha e qarkullimit reciprok qytetar dhe tregtar, por për kompanitë e Maqedonisë do të ‘afrohej’ edhe më shumë porti i Durrësit”, ka deklaruar Reka.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra të rinj të moshave e profesioneve të ndryshme, kanë…