Rektori Hajrullahu: Koha e uzurpimit të pronave të UP-së mbaroi, hapësirat të lirohen menjëherë
Në një intervistë për mediumin publik të vendit, RTK, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, tha se UP-ja është shumë më mirë se që ka qenë, derisa deklaroi se po punohet fort që universiteti të jetë në hap me kohën në të cilën po jetojmë.
Rektori Hajrullahu para shikuesve prezantoi disa nga rezultatet e arritura gjatë udhëheqjes së tij si dhe vizionin dhe planin e tij për zhvillimin e mëtutjeshëm të UP-së, të bazuar në tri pika: rritjen e ndërveprit mes njësive akademike, ndërkombëtarizimin dhe transformimin digjital.
Ai theksoi se gjatë vitit të kaluar UP-ja si kurrë më parë, ka zgjeruar bashkëpunimin me universitete, institucione dhe organizata nga vende të ndryshme të botës, si dhe me institucione dhe organizata vendore, duke nënshkruar mbi 100 marrëveshje të reja bilaterale, më shumë se 50 në kuadër të programit Erasmus+ të BE-së. Gjatë vitit 2025, mbi 400 studentë, profesorë dhe staf administrativ i UP-së qëndruan jashtë vendit për disa muaj, ndërsa rreth 130 studentë dhe 130 profesorë nga jashtë u mirëpritën në UP.
Rektori gjithashtu prezantoi një plan të detajuar të transformimit digjital, të hartuar nga UNDP-ja, me të cilin synohet që në një periudhë nga 3 deri në 5 vjet ta bëjë universitetin më të qasshëm për publikun dhe të depersonalizojë proceset administrative e me këtë edhe t’i zvogëlojë mundësitë e dukurive negative duke rritur transparencën e llogaridhënien.
Drejtuesi i UP-së tha se ka kërkuar e do të kërkojë nga institucionet e vendit dhe donatorët mbështetje financiare për këtë e për projekte të tjera.
Rektori Hajrullahu tha se është shumë e nevojshme edhe një pako sociale për UP-në me të cilën disa nga punonjësit do të mund të dilnin në pension të parakohshëm, derisa paralajmëroi që në të ardhmen pagat dhe lartësia e tyre do të duhej të ishin në përputhje me angazhimet dhe performancën e personelit.
Ai tregoi edhe një herë pikëpamjen e tij për thelbin e misionit dhe qëllimit të një institucioni të arsimit të lartë. Shpjegoi se një universitet duhet të përgatisë njerëz që mendojnë në mënyrë racionale e kritike dhe që ata të pajisen me aftësi për të qenë të suksesshëm në profesion e jetë.
Rektori Hajrullahu tregoi se kurrë më mirë nuk kanë qenë as raportet e menaxhmentit me studentët dhe i porositi studentët që të jenë edhe më ambiciozë e më kërkues.
Rektori Hajrullahu njoftoi po ashtu se në shumë raste pronat e UP-së janë nën atak, të uzurpuara ilegalisht.
Ai njoftoi që UP-ja po punon që pronat e uzurpuara ilegalisht të lirohen duke i ballafaquar uzurpatorët me ligjin, si dhe ju bëri thirrje publike organeve të rendit që atakuesit, uzurpatorët ilegalë të pronave të UP-së pa humbur kohë e në mënyrë proaktive t’i ballafaqojë me forcën e shtetit ligjor. Kështu, rektori Hajrullahu porositi të gjithë uzurpatorët, shfrytëzuesit ilegalë të pronave të UP-së, që pa humbur kohë të palojnë çantat dhe të largohen nga të gjitha pronat e uzurpuara ilegalisht, pa përjashtim.
Pronat që duhet liruar me urgjencë dhe vënë sa më parë në shfrytëzim të UP-së janë edhe pronat e uzurpuara te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.



