RËNDËSIA E VIZITËS SË ERDOGANIT NË RAJON

07 shtator 2022 | 21:56

Milazim KRASNIQI

Vizita e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoganit në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi dhe siç pritet në Kroaci, rikonfrmon rolin e madh dhe në rritje të Turqisë në rajon po edhe në botë, veçmas pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, ku Turqia ka marrë njërin nga rolet më të rëndësishme, veçmas lidhur me eksportin e grurit nga Ukraina.

Presidenti turk tashmë është një personalitet i kalibrit botëror, fjala e të cilit dëgjohet më vëmendje në Shtëpinë e Bardhë, në Kremlin e gjithkund. Mospërfshirja e Shqipërisë dhe e Kosovës në turin e tij, vetvetiu paraqet hendikep për vendet tona, sepse nuk përfshihen në axhendën e njërit nga udhëheqësit më të mëdhenj botërorë, i cili kudo ku shkon ka mesazhe me qartësi të madhe strategjike.

Presidenti Erdogan ka vizituar Shqipërinë e Kosovën në të kaluarën, por ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin, veçmas pas agresionit rus në Ukrainë, kanë nevojë për forcimin e partneritetit strategjik atlantik të vendeve tona. Kjo vlen shumë më tepër për Kosovën, se sa për Shqipërinë, sepse Kosova ka hyrë në një fazë bukur kritike në marrëdhëniet me Serbinë, kur presionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë në rritje.

Një mik strategjik si Turqia dhe si presidenti Erdogan, Kosovës do t’i ndihmonin shumë në këtë situatë. Por, pyetja që shtrohet është kjo: a e ka diplomacia dhe politika jonë të qartë rëndësinë e Turqisë a nuk e ka, a punon për ta ruajtur e forcuar partneriettin strategjik me Turqinë, apo i ka lënë raportet të rrjedhin më ramje të lirë- teposhtë, si një luftë donkishoteske e kësaj qeverie kundër trashëgimisë së ish presidentit Hashim Thaçi, i cili ato raporte i pati ngritur në një nivel bukur të lartë. Kam frikë se në pikën e ramjes së lirë të raporteve jemi.

Sa u përket mesazheve që dha presidenti Erdogan në BeH, ato janë ndihmesë shumë shpresëdhënëse për stabilietin e atij shteti. Ndërsa bashkëpunimi i Turqisë me Serbinë u konfirmua edhe me shtatë marrëveshje të reja ndërshtetërore, që sigurisht e afirmojnë Serbinë si faktor në rajon. Në mesin e tyre, udhëtimi vetëm me letënjoftime ndërmjet Serbisë e Turqisë është një stad i ri i marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve dhe sigurisht mund të sjellë edhe një bum të turistëve serbë në Turqi për vitin që vjen. Në Kroaci ende nuk dihet se cilat do të jenë mesazhet e presidentit Erdogan, por nga sa parashikohet, pritet “t’ia ngrehë veshin” Millanoviqit, për politikat e tij diversioniste ndaj BeH.

Pra, kësaj here shqiptarët mbetën anash kësaj vizite të rëndësishme. Në ditët në vijim ndoshta mund të kuptohet më shumë për arsyet, që eventualisht do ta kenë penguar ardhjen e presidentit Erdogan në Kosovë e në Shqipëri, ku ai në të kaluarën ka ardhë më shumë dëshirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria ukrainase sapo ka ndarë këtë mesazh ogurzi për pushtuesit…